Prodhonin e shisnin lëndë narkotike dhe mbanin armë pa leje, arrestohen babë e bir në Korçë

08/05/2021 13:02

Një 43-vjeçar dhe djali i tij, 25 vjeç, janë arrestuar në Korçë, pasi dyshohet se tregtonin lëndë narkotike, si dhe mbanin armë pa leje.

Pas kontrollit,shtetasve I.L. dhe A.L, babë e bir, i gjetën një armë zjarri tip automatik, një krëhër me 13 fishekë, sasi droge heroinë dhe kanabis të ndara në doza, gati për shitje.

Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Parandalimi”.
Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së drogave të forta.
Vihen në pranga dy shtetas, babë e bir.
Sekuestrohet një armë zjarri tip automatik, një krëhër me 13 fishekë, sasi droge heroinë dhe kanabis të ndara në doza, gati për shitje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të armëmbajtjes pa leje dhe prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike, finalizuan operacionin e koduar “Parandalimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve I. L., 43 vjeç dhe djalit të tij A. L., 25 vjeç, banues në Korçë.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se shtetasit e mësipërm, posedonin armë pa leje dhe ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, shërbimet e policisë organizuan veprimet dhe ushtruan kontroll në lokalin në përdorim prej tyre në lagjen nr. 15, Korçë, ku u gjet një armë zjarri tip automatik (me fishekë në fole), një krëhër me 13 fishekë dhe një sasi lëndë e dyshuar narkotike heroinë.
Gjithashtu gjatë kontrollit të mëtejshëm të ushtruar në banesën e tyre, u gjet një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Top Channel