Laboratori i drogës në Lushnje si në Angli me alumin e llamba në mure/ Arrestohen 3 persona, mes tyre dy punonjës të OSHEE-së (Pamjet)

08/05/2021 09:54
Pamje nga laboratori i drogës në Lushnje

Pas zbulimit të ambientit të përshtatur si laborator brenda një ndërtese në fshatin Krutje në Lushnje që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet ngrohjes me llamba, policia ka arrestuar 3 persona.

Një në vendngjarje dhe dy punonjës të kompanisë OSHEE janë arrestuar, ndërsa fidanë kanabisi dhe pajisje të ndryshme elektrike janë sekuestruar.

Top Channel një ditë më parë siguroi foto të vendit, i cili i ngjante laboratorëve të famshëm të kanabisit në Angli.

Një prej autorëve është arrestuar në vendngjarje, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i ndërtesës i cili është organizatori si edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë.

I arrestuari është M. Ç., 40 vjeç, banues në Lushnje, ndërsa po punohet për kapjen e E. R., 45 vjeç, banues në Tiranë, L. S., 54 vjeç dhe I. B., 27 vjeç, banues në Fier.

Ndërsa dy punonjësit e OSHEE-së, M. Z., 64 vjeç, banues në fshatin Ardenicë dhe V. L., 23 vjeç, banues në fshatin Gorre do të gjykohen për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi nuk kanë përmbushur detyrën, duke mos kontrolluar linjën elektrike, si dhe matësin e energjisë elektrike.

Veç kanabisit dhe mjeteve të tjera, në banesë u gjetën dhe u sekuestruan disa fishekë luftarakë.  Sipas policisë, materialet për veprime të mëtejshme do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Shpërdorim detyre”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Lushnjë

Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike.  Finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Lushnjë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, operacioni antikanabis i koduar “Krutja”.  Policia zbulon në fshatin Krutje brenda një ndërtese, një ambient të përshtatur si laborator, që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba. Sekuestrohen fidanë kanabisi dhe pajisje të ndryshme elektrike. Arrestohet në flagrancë një prej autorëve të kësaj ngjarje dhe dy punonjës të kompanisë OSHEE. Shpallet në kërkim pronari i ndërtesës i cili është organizatori i kësaj veprimtarie kriminale si edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë. Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të marra më parë në rrugë policore, nga Komisariati i Policisë Lushnjë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit antikanabis të koduar “Krutja”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi M. Ç., 40 vjeç, banues në Lushnje, si dhe u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve E. R., 45 vjeç, banues në Tiranë, L. S., 54 vjeç dhe I. B., 27 vjeç, banues në Fier. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë përshtatur ambientin e një ndërtese në pronësi të shtetasit E. R., me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shpërdorim detyre” shtetasit M. Z., 64 vjeç, banues në fshatin Ardenicë dhe V. L., 23 vjeç, banues në fshatin Gorre. Të dy këta shtetas, punonjës të kompanisë OSHEE, në kundërshtim me ligjin nuk kanë përmbushur detyrën, (duke mos kontrolluar linjën elektrike, si dhe matësin e energjisë elektrike). Gjatë operacionit shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale  pajisjet elektrike që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike dhe fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në kushte laboratorike.  Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës së shtetasit L. S., u gjetën dhe u sekuestruan disa fishekë luftarak dhe pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në kushte laboratorike. Materialet për veprime të mëtejshme do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Shpërdorim detyre”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel