“Anuloni zgjedhjet në Gjirokastër”/ LSI kërkon përsëritjen në Dropull: Minoritarët u penguan të vijnë të votojnë

07/05/2021 15:12

Lëvizja Socialistë për Integrim kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në Bashkinë Dropulll si dhe në të gjithë Qarkun Gjirokastër.

Partia e dytë më e madhe në opozitë nuk ia doli të sigurojë asnjë mandate deputeti dhe arsyeja kryesore sipas saj ishte pjesëmarrja e ulët në votime për shkak të karantinës së detyrueshme dy javore që Komitetit Teknik i Ekspertëve vendosi për emigrantët nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Vendosja e masave të tilla pak ditë para ditës së votimit dhe heqja e masave të tilla pak ditë pas mbarimit të procesit të votimit dëshmon për një vullnet të orientuar politikisht duke penguar shtetasit shqiptarë me banim në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votës.

Si provë kryesore për ankimin e saj pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve LSI paraqiti rezultatin që ajo ka marrë në zgjedhjet e 2015 dhe 2017 në Bashkinë e Dropullit, ku rezulton forcë e parë dhe shifrat e zgjedhjeve të 2021 ku LSI përfundon forcë e tretë pa asnjë deputet në Parlament.

Vlen të theksojmë se se rezultati Zgjedhor në Bashkinë Dropull ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezultatin e përgjithshëm të Qarkut Gjirokastër, pasi në një situatë eventuale të mos pengimit te shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi shpërndarja e mandateve në Qarkun Gjirokastër do të ishte, 2 mandate PS, 1 mandat LSI dhe 1 mandat PD.

Në zgjedhjet e 25 Prillit Partia Socialiste mori 3 mandate në Qarkun Gjirokastër ndërsa partia Demokratike 1 mandat, ndërkohë LSI nuk ja doli të ruajë mandatin. Ky është ankimimi i parë për rezultatin e 25 Prillit. Ndërkohë KAS i është drejtuar me shkrim dore edhe kandidati Tasim Mehmeti i Koalicionit të udhëhequr nga Kujtim Gjuzi, i cili padinë e tij e bazon në thashetheme që ka dëgjuar se votat e tij në Vlorë janë numëruar në favor të PD-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA