Zamira Durda, nëna e 7 vjecarit që humbi jetën në gërdec reagoi sot në lidhje me vendimin e SPAK për ish ministrin Fatmir Mediun.

Ajo prej 13 vitesh vijon betejën e saj për drejtësi dhe shpesh është zhgënjyer nga drejtësia, prandaj në lidhje me ketë vendim të SPAK është shumë më e kujdesshme që të shprehet entuziaste. Për më tepër ndiqni intervistën e përgatitur nga  gazetarja jonë Kristi Gongo me zonjën Durda.

Durda: Pres që të vendoset drejtësi, tani me këtë njoftim që kam marrë nga mediat nuk është se kam ndonjë gëzim të madh. Është një pikë e vogël. Si ata që hetuan Gërdecin, si ata që e gjykuan, unë jam hetuar dhe gjykuar nga një bandë kriminale sepse të gjithë gjyqtarët dhe pjesa më e madhe e prokurorëve nuk janë sot në sistemin e drejtësisë më.

Ne akuzojmë institucionet shqiptare sepse aty vepronte Ministria e Mbrojtjes, ishin mjetet e ushtrisë shqiptare që sollën armatimin. I gjithë armatimi u mblodh nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga të gjitha depot.

Pyetje: Çfarë mendoni se ka qenë shkak që ka penguar ecjen e këtij procesi dhe drejtësinë për djalin tuaj?

Durda: Ndërhyrja e politikës dhe personat e përfshirë në këtë ngjarje janë shkaktarët kryesorë që e pengojnë vendosjen e drejtësisë. Fatmir Mediu që ka qenë, ish kryeministri, të gjithë e dinin se cfarë ndodhte në Gërdec, të gjithë janë fajtor për këtë gjë. Ai që dha lejen që u hap se aty ka qenë repart ushtarak, nuk ka pasur godina. Nuk kishte vend për demontim se këta thonë aksident teknologjik por vetëm teknologji s’kishte atje. Nuk ka nevojë as për prova, por një ngjarje e ndodhur në mes të ditës, nuk ka nevojë për shumë gjëra. Nëse do kishte vullnet, kjo cështje do ishte zbardhur dhe ata njerëz do kishin marrë drejtësi. Vendosja e drejtësisë është motivi i jetës time, për këtë jetoj.

Top Channel