Top Story/ Skema Malltezi-Fazllic, si përfituan miliona euro nga afera e Porto Romanos

04/05/2021 23:34

Në shtator të vitit 2005, Lulzim Basha mori detyrën si Ministër i Transporteve në qeverinë Berisha. Në atë periudhë, në Tiranë u kthye nga Kosova Argita Malltezi Berisha. Ajo hapi 3 kompani ligjore me Flutura Kolën, ish-bashkëpunëtoren e saj në UNMIK.

“Të gjithë apo shumica që kanë adhur nga Shqipëria më duket edhe natyrore që kanë pasur miqësi, të vecanta dhe lidhje të posacme njëri me tjetrin” u shpreh Tomë Gashi, avokat.

“Ata erdhën nga një mentor i tyre që ishte Damir Fazllic, në krye të këtij grupi ishte Fazllic që u shfaq si miku më i ngushtë i Bashës dhe miku më i ngushtë i Berishës”u shpreh analisti, Ilir Yzeiri. Biznesmeni kontrovers, u bë menjëherë epiqendra e debateve publike në atë kohë. Kryeministri Berisha, i kishte dhënë një besim të jashtëzakonshëm një njeriu me lidhje të dyshimta në Beograd.

Fazlliç synonte të ngrinte një perandori energjetike në zonën e Porto Romanos. Në kompanitë e tij, administrator ishte Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës. Eksperte kontabël ishte Shpresa Breçani, mbesë e ish-kryeministrit Sali Berisha. Për ndihmë juridike, përkrah tij ishte zyra ligjore e Argita Malltezit dhe Flutura Kolës. Bashkëshortët e dy juristeve, përkatësisht Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola ndërmjetësuan për blerjen e tokës në Porto Romano.

Malltezi dhe Kola shfaqeshin edhe si blerës te fshatarët, duke ia shitur më pas tokën Fazllicit disa herë më shtrenjtë. Skemën e ka pranuar vetë Flutura Kola në dëshminë e dhënë përballë prokurorit, në një hetim që u hap nën dyshimet për pastrim parash. “Sqaroj se njërën nga tokat e blera nga Damir Fazlliç, e ka shitur bashkëshorti Florenc Kola i cili nisur nga fakti që çmimi i asaj parcele ishte i leverdisshëm e bleu fillimisht vetë dhe më pas e shiti te Damir Fazlliç”.

Në fakt, Kola ka shitur plot 8 parcela me vlerë 257 mijë euro, referuar dokumentit që Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave i adreson Prokurorisë. Aty thuhet se mund të ketë kontrata të tjera që nuk janë paraqitur. Në fakt, Top Story ka siguruar qindra faqe dokumente të dhjetëra kontratave të tjera. Me sa duket, autoritetet kanë mbyllur sytë aso kohe.

Në total, u siguruan për llogari të dy kompanive të Fazllicit, që administroheshin nga Erion Isufi plot 14 hektarë tokë. Çmimi I paguar nga Fazlliç ishte 18 euro ndërsa fshatarët kanë marrë vetëm 10 euro për metër katror. Ja ku shkuan paratë e tjera. Shikoni këtë kontratë shitblerje. Jamarbër Malltezi blen nga pjesëtarë të familjes Matmuja në Porto Romano parcelën me numër 18/24, me sipërfaqe 6512 metër katrorë.

Vlera e shitjes është rreth 7.8 milionë lekë të reja. Tani shikoni këtë kontratë ku e njëjta pronë, I shitet kompanisë së Fazllicit nga Malltezi.
Vlera e shitjes plot 117 mijë euro apo rreth 15 milionë lekë, pra, dyfish. Në këtë formë është vepruar edhe me parcelat e tjera nga Malltezi dhe Kola. Për 14 hektarë ata kanë fituar në total nga kjo manovër mbi 1.1 milionë euro.

“Si unë me Florencin, por edhe Jamarbër Malltezin kemi menduar se duke patur një çmim tavan të vendosur me blerjet e mëparshme do të ishte një biznes me leverdi nëse do të blinim fillimisht toka dhe më pas t’ja shisnim Damir Fazlliç” “Në atë kohë, presioni ishte aq i madh ndaj pranisë së këtij bzinesi që Berisha e paraqiste si vizonar, edhe si filoamerikan sa kulmi arriti kur ky njeri mori pjesë në një mbledhje të këshillit të mbrojtjes në Minsitrinë e Mbrojtjes” u shpreh Ilir Yzeiri, analist.

Fill pasi u mbyllën transaksionet, Berisha përfshin brenda parkut energjetik të Porto Romanos edhe tokat e Damir Fazllic. Vlera e tokës u 8-fishua. Për 14 hektarë tokë, janë paguar afro 2.5 milionë euro nga biznesmeni boshnjak. Fazllic e kuptonte se gjysmën e parave i morën Malltezi dhe Kola, por sërish ishte I kënaqur me pazarin. Ai e dinte me saktësi që Berisha do e favorizonte. Këtë, e ka zbuluar Flutura Kola para prokurorit. “Unë kam patur dijeni që kjo zonë ka qenë e miratuar me VKM si zonë me masterplan për ndërtim depozitash nafte dhe hidrokarburesh. Mendoj, referuar asaj që më ka thënë në fillim, ishte i interesuar për aktivitet në fushën e hidrokarbureve”.

Berisha u shfajësua teksa tha se se Porto Romanon e kishte shpallur park energjetik Fatos Nano që në vitin 2001. Në fakt, thelbi i favorizimit të Fazlliçit qëndronte tjetërkund. Pikërisht te vendimi i Berishës për të zgjeruar hapësirën e parkut me tokat e biznesmenit boshnjak.
“Të përfitosh duke shkelur ligje, duke ndërtuar amendamente të posacme për të përfituar në kurriz të tjerëve kjo nuk është e ligjshme” u shpreh Ilir Yzeiri, analist.

Emisioni i plotë:

Top Channel