Uashingtoni mohon njoftimet e Iranit për shkëmbimin e të burgosurve

02/05/2021 21:41

Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë të dielën një njoftim të televizionit shtetëror iranian, se dy vendet kundërshtare kishin arritur një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve në shkëmbim të lirimin të fondeve iraniane të naftës, prej rreth 7 miliardë dollarësh, të ngrira nga sanksionet e amerikane në vendet e tjera.

Televizioni shtetëror iranian tha të dielën se Teherani do të lirojë katër amerikanë të akuzuar për spiunazh në shkëmbim të katër iranianëve të ndaluar në Shtetet e Bashkuara dhe lirimit të fondeve iraniane të ngrira që kapin shumën 7 miliardë dollarë.

Nga ana tjetër, qeveria amerikane ka hedhur poshtë njoftimin se po punohej për shkëmbimin në fjalë.

Televizioni shtetëror iranian, duke cituar një zyrtar anonim të Teheranit, tha gjithashtu se shtetësja britaniko-iraniane Nazanin Zaghari-Ratcliffe do të lirohej sapo Britania të kishte shlyer një borxh ushtarak që i detyrohej Teheranit.

Zyra e Jashtme Britanike nuk i kushtoi rëndësi njoftimit të televizionit shtetëror iranian. Teherani dhe fuqitë botërore po zhvillojnë bisedime për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, që Uashingtoni braktisi tre vite më parë ndërsa vuri përsëri sanksione ndaj Teheranit.

Zyrtarët iranianë thanë për agjencinë e lajmeve Reuters muajin e kaluar se një marrëveshje e përkohëshme mund të jetë një mënyrë për të fituar kohë për një marrëveshje të qëndrueshme që do të përfshinte zhbllokimin e fondeve iraniane të ngrira nga sanksionet amerikane.

“Një burim i informuar thotë se administrata e Presidentit Biden ka rënë dakord të lirojë katër të burgosur iranianë të ndaluar për anashkalim të sanksioneve amerikane në shkëmbim të katër ‘spiunëve amerikanë’”, thuhej në njoftimin e televizionit shtetëror iranian të dielën.

“Po ashtu është finalizuar lirimi i Nazanin Zaghari-t në shkëmbim të pagesës së borxhit prej 400 milionë paundë që Mbretëria e Bashkuar i detyrohet Iranit. Burimi thotë gjithashtu se administrata Biden ka rënë dakord t’i paguajë Iranit 7 miliardë dollarë”, njoftonte televizoni shtetëror iranian.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha: “Nuk janë të vërteta njoftimet se është arritur një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve. Siç kemi thënë, ne ngremë gjithmonë rastet e amerikanëve të arrestuar ose të zhdukur në Iran. Ne nuk do të ndalemi derisa të jemi në gjendje t’i bashkojmë ata me familjet e tyre.”

Ron Klan, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, po ashtu e hodhi poshtë lajmin.

“Për fat të keq, lajmi është i pavërtetë. Nuk ka asnjë marrëveshje për të liruar këta katër amerikanë”, tha zoti Klan në programin “Face the Nation” të kanalit televiziv CBS./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA