Durrësi do të presë grupet e para të turistëve të huaj më 15 maj. Vaksinimi dhe zhvillimi i zgjedhjeve para sezonit turistik shihen nga operatorët e këtij sektori si një ogur i mbarë.
Indrit Nuredini, operator turistik: ”Mendojmë që ky fillim do të jetë dhe mbarimi i sezonit pandemik, me nisjen e plazhit dhe vaksinimin e popullatës, përfshirë dhe stafin hotelier që ishte një mbështetje shumë e mirë për turistët, sigurinë e tyre dhe imazhin tonë.”
”Më 15 maj fillojnë çarterat e parë dhe mendojmë se gjërat do të funksionojnë duke kthyer normalitetin e ta harrojmë sa më shpejt këtë pjesën e Covid që i mori frymën të gjithë botës.”
Plazhet e Adriatikut janë ende të qeta dhe pse pushuesit nuk mungojnë. Ky fillim muaji i gjen operatorët turistikë në përgatitjet e fundit për sezonin e ri.
”Ne si operatorë turistikë kemi marrë masat në kuadrin e infrastrukturës, plotësimin me staf, në organizimin e punëve dhe detajet e fundit për mirëmbajtjen e plazhit. Nga ana jonë gjërat po sistemohen dhe zhvillimi i zgjedhjeve në këtë periudhë ishte shumë mirë, pasi nuk pengoi sezonin turistik, siç ndodhte rëndom.”
Po kush do të jenë turistët më besnikë të këtij sezoni në Durrës?
”Nordikët janë pak skeptikë dhe nën ndikimin e situatës, ndaj nuk kemi ende konfirmim prej tyre. Kryesisht, kemi konfirmim nga turistët polakë që kanë dëshirë të madhe të vijnë në Shqipëri. Ata kanë gjetur turizëm atraktiv, mikëpritje dhe ccmime të mira. Ne jemi kthyer në faktor në Europë për turizmin. Durrësi ka fituar traditë në trajtimin e turistëve të huaj. Do të vijnë dhe nga Bosnje Hercegovina, Kosova, klientët tanë tradicionalë, po ka interes dhe nga Serbia.”
Top Channel