Ndryshe nga një vit më parë ku kremtimet e Pashkës ortodokse në Korçë u kushtëzuan nga pandemia, ky vit duket se do të jetë më i lehtë për ata që do të vizitojnë këtë qytet.
Rezervimet për fundjavën e Pashkës kanë përfunduar dhe do të jenë të shumtë ata të cilët kanë zgjedhur Korçën për këtë fundjavë festive.
Në vilat, bujtina dhe hotelet e Korçës vendet u rezervuan të gjitha nga pushuesit që vijnë nga e gjithë Shqipëria dhe zgjedhin këtë qytet për mënyrën e veçantë të festimit. Pavarësisht se sivjet emigrantët mungojnë gjallëria ndjehet në çdo zonë të qytetit.
Të ardhur nga çdo qytet i Shqipërisë apo tek tuk edhe ndonjë turist i huaj pohojnë se Korça mbetet një destinacion i veçantë për çlodhjen, festimet por edhe gatimet që ofron.
Një vit më parë si pasojë e pandemisë dhe izolimit kjo festë u kremtua vetëm brenda familjes duke bërë që shumica e riteve që ndiqen në javën e Pashkës të jenë të pamundura ndërsa këtë herë të gjithë do të kenë mundësinë të festojnë pak më të lirshëm edhe pse protokollet nuk mungojnë dhe shumë nga organizimet janë detyruar të përshtaten.
Top Channel