Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken udhëton javën e ardhshme drejt Ukrainës teksa Washingtoni po koordinon nga afër me Kievin lëvizjet për situatën pas shtimit të fundit të pranisë ushtarake të Rusisë përgjatë kufirit me Ukrainën.
Blinken do të jetë në Ukrainë më 5-6 maj, “kur do të takohet me Presidentin Zelensky, Ministrin e Jashtëm Kuleba, zyrtarë të tjerë dhe përfaqësues të shoqërisë civile të Ukrainës për të riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresionit që po zhvillon Rusia”, citon VOA zëdhënësin e DASH, Ned Price.
Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë nga afër lëvizjet e Rusisë pasi Moska njoftoi të enjten e kaluar se do të fillonte tërheqjen e trupave të saj nga kufiri i Ukrainës. Sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby tha këtë javë se është shumë herët për të folur dhe se po marrin për të mirëqena pretendimet e Rusisë se po tërheqin të gjithë forcat, ndërsa pranoi se ka “një lloj largimi të disa forcave ruse nga Ukraina”.
Zyrtarë të lartë amerikanë dhe të Bashkimit Europian pohuan më herët se afërsisht 150 000 forca ruse u dislokuan përgjatë kufirit të Ukrainës dhe në Krime, numri i madh ky i ushtarëve të vendosur në zonë që prej kohës kur Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014.
Udhëtimi i Blinken në Ukrainë do të jetë i pari i tij si sekretari amerikan i shtetit. Në Kiev, kryediplomati amerikan “do të inkurajojë gjithashtu përparimin e vazhdueshëm në agjendën e reformave institucionale, veçanërisht veprimin anti-korrupsion, i cili është thelbësor për sigurimin e institucioneve demokratike të Ukrainës, prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen e saj Euro-Atlantike“.
Top Channel