Kryeministri, Viktor Orban mund t’i humbasë zgjedhjet e vitit 2022. Por që tani ai ka filluar të sigurojë pushtetin për më vonë. Fondacione të pavarura të pajisura me miliarda do të marrin përsipër detyra shtetërore.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban është një nga politikanët më finokë në Europën aktuale. Për të siguruar pushtetin e tij, ai ka bërë shumë këto vite, që nga kthimi në unisono të medias, deri tek një ligj zgjedhor, që avantazhon partinë e tij, Fidesz. Ideja e fundit e tij del madje edhe jashtë kuadrit të regjimit, të paktën demokratik në formë. Synohet të ngrihet një shtet paralel, që ia mundëson kryeministrit dhe elitës së tij në rast të një humbjeje të zgjedhjeve, të ulen në të gjitha komandat e drejtimit të shtetit dhe shoqërisë. Arsyeja: Në Hungari ka filluar të fryjë një erë e ndryshimit politik. Shumë njerëz janë lodhur nga Orbani dhe nuk e durojnë dot më vetëkënaqësinë e tij dhe aferat e korrupsionit në rrethin familjar atë të miqve dhe partisë. Sondazhet ka kohë që i japin opozitës shansin të zëvendësojë Orbanin në pranverën e ardhshme.
Institucioni, që do duhet të pengojë, që të marrë drejtimin një qeveri që nuk drejtohet nga Orbani, mban një emër me një tingëllim jo të keq, vetëm të vështirë për t’u shqiptuar. “Fondacioni i Interesit Publik për Administrimin e Pasurive që Kryejnë Detyra Publike.” Të martën (27.04), parlamenti dha miratimin me dy të tretat për një ligj që e mundëson krijimin e këtij institucioni të ri dhe themelimin e 32 fondacioneve të tilla.
Detyra nga gati të gjithë sektorët shtetërorë
Shumica e tyre do të jenë fondacione të universiteteve shtetërore, me këtë kalon gati i gjithë sistemi shtetëror i arsimit të lartë hungarez në fondacione, përfshirë edhe klinikat universitare. Pjesa më e vogël e fondacioneve ka karakter të përgjithshëm dhe merr përsipër detyra nga të gjithë sektorët shtetërorë; sporti, familja, kultura, klima, bujqësia, prodhimi mediak deri tek marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mbështetja e pakicave hungareze jashtë.
Miliarda për një shtet paralel
Në këtë mënyrë garantohet, shkruan avokati dhe ish-deputeti liberal hungarez, Andras Schiffer, që pas një ndërrimi të qeverisë çdo qeveri do duhet të ndajë pushtetin me “një qeveri të thellë paralele të fshehur në administratë, të komanduar nga Viktor Orban.” Fondacionet kanë fonde miliardëshe.
Pa kontroll shtetëror
Një shembull është Kolegji Matthias Corvinus, MCC, në fillim një kolegj i afërt me partinë Fidesz, i themeluar nga Andras Tombor, një këshilltar i afërt i Orbanit. Me një të rënë të lapsit, MCC mori 10% aksione të koncernit të naftës, MOL dhe firmës farmaceutike, Gedeon Richter. Vlera e përafërt llogaritet me 1 miliardë euro.
Fondacionet punojnë vetë dhe nuk kanë asnjë lloj kontrolli shtetëror. Vërtet që paratë ato duhet t’i shpenzojnë për qëllimet e parashikuara, por se si e bëjnë këtë, kjo vendoset nga vetë fondacionet. Institucionet e reja do të drejtohen nga kuratorume, anëtarët e të cilëve, gjatë themelimit të fondacionit emërohen nga qeveria. Por anëtarët e mëvonshëm pastaj fondacionet i emërojnë vetë. Ndër kuratorët e emëruar që tani janë ministra, sekretarë shteti, dhe shumë njerëz të afërt të biznesit, të afërt me Orbanin.
Qeveriae shpjegoi modelin e fondacioneve me nevojën e rikonceptimit të angazhimit shtetëror në shekullin e 21-të dhe përdorimin me eficientë të shpenzimeve publike. Por blloku opozitar hungarez bën fjalë për “privilegjim hajdutërie” dhe “vjedhje”. Në një prononcim të tyre shkruhet se “ne e dënojmë me vendosmëri që regjimi kërkon të shpëtojë veten duke kaluar pasurinë publike dhe paratë e taksapaguesve në dorë private të Fidesz-it”.
Drejtori i Transparency International për Hungarinë, Miklos Ligeit thotë, se kjo është një nga masat me vazhdën më të madhe të ndikimit që ka marrë Orbani që kur erdhi në pushtet në vitin 2010. “E gjitha është një ide finoke, por e keqe, që në dimensionin e saj mund të krahasohet me shtetëzimin komunist.” Sipas Ligetit, ky është një model, që nuk ekziston diku tjetër në demokracitë perëndimore. Opozita ka premtuar, se në rast fitoreje të saj do të shkrijë fondacionet e reja dhe do t’ia kthejë pasuritë sërish shtetit./DW/
Top Channel