1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve në vende të botës përkujtohet me protesta e manifestime për të kërkuar të drejtat e për të plotësuar kushtet e punës.
Por, e kundërta ndodh në Shqipëri. Edhe minatorët e Bulqizës që dikur ngriheshin për të drejtat e tyre në punë, sot janë të heshtur. “Kemi 32 vite që punojmë në minierë dhe sot nuk është plotësuar asnëj kërkesë ndaj duhet të protestojmë. Nuk flasim dot sepse rrezikojmë vendin e punës”.
Eksperti për çështjet e punësimit, Erion Muça shpjegon faktorët e mosreagimit dhe indiferentizmit të shqiptarëve për të drejtat e tyre në punë. “Në të gjithë botën sindikatat funksionojnë si motor të shtytjes së punonjësve për t’u organizuar me njëri-tjetrin, për të bërë revolta duke kërkuar të drejtën. Në mungesë të tyre sot në vend njerëzit janë të frikësuar për vendin e punës dhe hapësirat sot për punë janë të kufizuara. Janë shumë indiferentë dhe neglizhentë dhe kjo padyshim ka dhe arsye, sepse përgjithësisht natyra e punonjësve në Shqipëri është natyre indiferente dhe individualiste. Kjo ka bërë që shumë të drejta të mos plotësohen“.
Por, çfarë duhet bërë që zëri i punëtorëve të dëgjohet dhe burimet njerëzore ashtu si në botë të shihen si motori i zhvillimit të bizneseve?
“Së pari duhet të ngrihen shoqata të punonjësve sipas sektorëve dhe industrive të ndryshme për t’u rakorduar hapat dhe mënyrën se si do duhet të mbrohen të drejtat e tyre. Kërkohet po ashtu një mbështetje më e lartë përmes aktiviteteve me karakter promovimi e ndërgjegjësimi nga të gjitha instancat e përfshira”, shton Muça.
Top Channel