SHBA “e zbut” me Turqinë: Fjala genocid nuk përcakton fajin!

30/04/2021 12:05

Presidenti amerikan, Joe Biden e vendosi SHBA-në në kurs përplasjeje me Turqinë kur i cilësoi “genocide” masakrat e armenëve në 1915-tën, duke ngjallur reagime të ashpra dhe thirrje për largimin e trupave amerikane nga baza strategjike e Incirlikut.

Por, sekretari i shtetit, Antony Blinken u përpoq të zbuste tonet me deklaratën e tij të fundit. Në një takim virtual me mediat e huaja, Blinken u shpreh se njohja që Biden i bëri aty ngjarjeve nuk duhet të jetë surprizë për askënd, pasi ai ka vite që ndan këtë këndvështrim. Dhe për çdo rast, sipas shefit të diplomacisë amerikane, një përcaktim i tillë nuk synon aspak që t’ia hedhë fajin Turqisë. “Siç e tha dhe presidenti, një hap i tillë u hodh për të nderuar viktimat, dhe jo të hedhur faje”, pohoi Blinken.

Biden tha disa ditë më parë se masakrat e vitit 1915 ndaj armenëve në Perandorinë Osmane përbëjnë gjenocid, një deklaratë historike që nxiti zemërimin e Turqisë e që pritet të përkeqësojë më tej lidhjet e dobëta mes dy vendeve aleatë në NATO.

Masa kryesisht simbolike, e cila shënon një shkëputje nga disa dekada të një gjuhë të peshuar me kujdes nga Shtëpia e Bardhë, vjen në një kohë kur Ankaraja dhe Washingtoni kanë mosmarrëveshje të thella politike për një mori çështjesh.

Për dekada me radhë, masat që njohin gjenocidin armen kishin ngecur në Kongres dhe presidentët amerikanë janë përmbajtur ta quajnë atë të tillë, nxitur nga shqetësimet në lidhje me marrëdhëniet me Turqinë si dhe lobimin e fortë të Ankarasë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA