Grupi parlamentar socialist ka nisur mbledhjen e firmave për të mbështetur propozimin e shkarkimit të presidentit, Ilir Meta.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu duke iu referuar burimeve nga grupi parlamentar socialist thotë se paraditen e sotme deputetëve socialistë i ka mbërritur një mesazh ku thuhet:
“Bazuar në disa shkelje të rënda te Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesinë e Grupit Parlamentar kemi vendosur të iniciojmë procedurën e shkarkimit të Presidentit të Republikës”.
I gjithë grupi parlamentar socialist është ftuar për të firmosur propozimin për shkarkimin e presidentit. Ky zhvillim vjen një ditë më pas nga deklarimi i kryeministrit, Edi Rama se me Ilir Metën do të merret parlamenti Shqipërisë. Sepse, tha Edi Rama, Metën populli e dënoi dhe se parlamenti do të formalizojë dënimin duke e shkarkuar.
Presidenti Ilir Meta u shfaq aspak i shqetësuar nga ajo çfarë deklaroi një ditë më parë Edi Rama dhe mbledhja e firmave të socialistëve, duke e theksuar se nuk ka ndërmend të dorëhiqet siç edhe tha përpara 25 prillit.
Top Channel