Luan Rama thumbon Ilir Metën: Asnjë ditë nuk shkoi në luftë, por i shpalli të gjithë tradhtarë

30/04/2021 22:05

Përplasja brenda strukturave të LSI në qarkun e Vlorës ngjalli shumë reagime gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit.

Luan Rama, kandidati për deputet në qarkun e Vlorës në listën e LSI, i cili është përfolur për përplasje të fortë me Ilir Metën dhe Petrit Vasilin, një nga figurat kryesore të kësaj force politike, ka bërë një reagim duke përdorur gjuhë të koduar përmes një poezie.

Gjithçka duket se i referohet presidentit Ilir Meta dhe dhe Petrit Vasilit, nënkryetarit të LSI. Situatën mes strukturave të LSI e komentoi edhe kryeministri Edi Rama gjatë fushatës duke thënë se: “Ilir Meta e pushkatoi Luan Ramën në Vlorë”.

Megjithëse situata mes tyre nuk është konfirmuar asnjëherë, gjatë fushatës zgjedhore, Presidenti e quajti “tradhtar.”

Postimi i plotë i Luan Ramës

Poezia është shpikja e parë pas shpikjes së gjuhës që e dalloi njeriun nga kafsha, ka shkuar një studiues serioz i saj. Pasioni im për poezinë është ndërkaq po aq jetësor sa vetë gjuha, ndaj më pëlqen që hëraherës t’ju ftoj edhe ju të shijoni ( sepse poezia shijohet, nuk lexohet ) poezitë që unë i zgjedh ndër poetët tanë më të shquar. Sot po ju ofroj një poezi prej mikut tim, poetit Hamit Aliaj, arti i të cilit e bën atë ndër bartësit e përgjegjësisë bashkë me Ilirian Zhupën, Rudolf Markun, Preç Zogajn e ndonjë tjetër, për të na dëshmuar se poezia e shkruar në shqip, ka poetë që ia mbrojnë nderin dhe që e nderojnë me shumë dinjitet edhe sot, jo vetëm si pasardhës të Dritëroit, Kadaresë, Arapit, Dhori Qiriazit, Xhavahir Spahiut etj, por më shumë si vazhdues e pasurues të një mozaiku vlerash të qenësishme për kulturën tonë kombëtare.

FAJE  DRUNI

Nga Hamit Aliaj

Ai nuk shkoi asnjë ditë në luftë.

Kur ajo mbaroi dhe flitej për të munguarit,

I shpalli tradhtare të gjitha pemët:

Pse ju çelët lule

Edhe në kohë të robërisë ?!

Me sakicë në krah , një nga një i pret.

Me drunin e tyne gdhend

Të dekun prej druni,

Që del e i shet

Në emën të historisë…

Top Channel