Policia e Durrësit në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndalimin e drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt kanë vënë në pranga tre persona.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se një 42 vjeçar është arrestuar, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe një 29 vjeçar pasi ishte duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi.
Po ashtu në flagrancë është arrestuar edhe një 45-vjeçar, i cili në aksin rrugor Durrës-Tiranë, duke drejtuar mjetin tip “Ford”, në gjendje të dehur, ka shkaktuar aksident rrugor me 4 mjete të tjera, duke shkaktuar dëme materiale.
Njoftimi i plotë:
Arrestohen në flagrancë 3 drejtues mjetesh.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasit:
B.G., 42 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 5, Durrës, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur;
Xh. S., 29 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi;
A.M., 45 vjeç, banues në Durrës, pasi në aksin rrugor Durrës-Tiranë, duke drejtuar mjetin tip “Ford”, në gjendje të dehur, ka shkaktuar aksident rrugor me 4 mjete të tjera, duke shkaktuar dëme materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel