Fatbardh Kadilli, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike kërkon të kandidojë për vendin e kreut të partisë, duke i kërkuar kreut aktual, Lulzim Basha të japë dorëheqjen.

Kjo kërkesë e tij vjen pas dështimit për herë të tretë të PD-së në zgjedhje, ku fitues ka dalë PS.

Kadilli ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithëve për këtë kërkesë, duke theksuar se Basha ka dështuar me planet e projektin e tij.

“Është vendosur një barrikadë para portës ku Lul Basha u betua se s’do dorëzohet, por është e tepërt, kërkoj kuptimin e PD-së, anëtaret e saj janë të trishtuar nga humbja, jam këtu për të konfirmuar edhe njëherë, jam këtu për t’i kërkuar edhe njëherë Bashës dorëheqjen, projekti i tij është i paaftë, e kemi mbështetur dhe e kam mbështetur me vetëmohim për të na drejtuar në fitore, nuk ia doli nuk diti nuk qe i zoti,  dështoi. Nuk e dimë se çfarë na pret në fund, sot kush thërret Rama ik nuk mund të thotë Basha rri. Dështimi i Bashës nuk mund t jetë për të mos luftuar Ramën. Këtë deklaratë të re do të doja ta bëjë në mjediset e PD, kam kërkuar nga zyra e shtypi, nuk dua të hyj në partinë tim vjedhurazi por si një njeri që ka hapësirën e vet në një shtëpi të lirisë. Çdo demokrat ka të drejtën tu flasë qytetarëve”, tha Kadilli.

Nisur nga pyetja e drejtuar nga gazetarja e Top Channel, Elda Menga nëse ky kandidim është hakmarrje ndaj Bashës,  Kadilli tha se nuk ka asnjë lidhje personale ky vendim, por është politik.

“Unë nuk jam deputet që prej 2013-ës dhe nuk kam asnjë arsye për hakmarrje, por kur shoh që një  gjë është në mënyrë të përsëritur. Është thjesht vendim politik, kam kontribuar me vetëmohim atje.  Në Shqipëri ka pasur gjithmonë manipulime por nuk ka ndikuar në rezultatin në fund. Unë kam plotësuar çdo lloj detyre, edhe atje kur më ka dërguar, janë të paktën 4 qarqe kur rezultati është i mire”, tha ai.

Top Channel