Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku ka inspektuar nga afër punën në pjesën Lindore të Unazës së Madhe të Tiranës, e cila do të jetë në dispozicion të udhëtarëve në fund të muajit gusht.
Aktualisht po punohet në lotin 2, për vendosjen e trarëve në viaduktin me gjatësi 210 metra, betonimin e mureve të tunelit si dhe për ndërtimin e pilotave për mbrojtjen e skarpatës.
“Është gjithçka e definuar, punët po lidhen me njëra-tjetrën. Kjo Unazë do të jetë në shërbim të të gjitha hyrjeve jashtë qytetit dhe do të përcjellë një trafik mjaft të rëndësishëm. Duhet thënë që pjesa ku ndodhemi sot ka pasur kompleksitetin më të lartë.
Kemi pasur vështirësi edhe me shpronësimet, por lidhja e të gjithë komuniteteve me nënkalime apo rrugë ndihmëse ka qenë shumë e rëndësishme për ne që t’i shërbejnë edhe komuniteteve. Nuk mund t’i izolojmë me anë të veprave të tilla. Afati i kësaj vepre është 31 gusht 2021, kështu që kemi dhe pak muaj në dispozicion, por duket se këtu puna po ecën”, tha Balluku.
Top Channel