Vendosi eksploziv në një banese në Orikum, kapet dhe arrestohet 42-vjeçari

29/04/2021 10:57
Foto ilustruese

Një 42-vjeçar, i shpallur në kërkim, është arrestuar sot në Orikum, pasi dyshohet se ka vendosur një sasi lënde shpërthyese në banesën e një shtetasi në këtë qytet.

Në 12 prill, në shtëpinë e shtetasit A. TH. shpërtheu një sasi eksplozivi, ku për pasojë pati vetëm dëme materiale. 42-vjeçari me iniciale R. K dyshohet se është autori që vendosi këtë sasi shpërthyese.

Njoftimi i policisë:
Pas një pune hetimore të pandërprerë, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 12.04.2021, në lagjen “Xhenio”, Orikum, ku ka ndodhur një shpërthim eksplozivi në banesën e shtetasit A. TH. dhe si pasojë është dëmtuar vetëm dera e banesës.

Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë policore, veprimeve hetimore procedurale, si dhe provave të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, nga ana e specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit:
R. K., 42 vjeç, banues në Orikum, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”.


Policia e Vlorës, po ashtu njofton se ka arrestuar 2 shtetas, të dyshuar për vjedhje të ndryshme në qytet.

Njoftimi:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin K. M., 37 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Ky shtetas iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel