“Pas zgjedhjeve vijon puna për rindërtimin”, Veliaj vizitë në shtëpinë e familjes Zhullima në Farkë: Të gjithë bashkë për të ecur përpara

29/04/2021 13:48

Menjëherë pas procesit zgjedhor të 25 Prillit, vijon puna për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi familjen e Hasan Zhullimës në Farkë të Madhe, e cila u gëzua me një shtëpi të re me të gjitha kushtet.

Veliaj u shpreh se si në fushatë, si jo në fushatë, puna duhet të vijojë me të njëjtin ritëm, pa u ndalur.

“Ka shumë njerëz që thonë: ‘Hë se këto bëhen për fushatë’ – por ne jemi menjëherë në terren duke vazhduar kantieret që ditën mbas fushate. Këtu disa njerëz janë ndarë për të punuar, disa njerëz janë ndarë për të xhiruar gomat, për të thyer poçat dhe për të fjetur gjumë. Por, ne e kemi çdo ditë fushatë. E kishim fushatë para një jave, e kemi tani një javë mbas zgjedhjeve. Do ta kemi gjatë verës, kur njerëzit do të shkojnë me pushime, dhe kur të vijnë do ta gjejnë Tiranën, me shumë prej infrastrukturave të rëndësishme në përfundim, sidomos në shkollat e reja që ne presim t’i hapim në shtator”, sqaroi Veliaj.

Më tej kryebashkiaku pohoi se që punët të ecin sa më shpejt dhe sa më mirë duhet të ketë bashkëpunim mes kundërshtarëve dhe jo ndasi.

“Populli foli, na dha një fitore të qartë këtu, na dha një fitore të qartë në të gjithë Tiranën. Për sa kohë populli vendosi dhe na dha këtë besim për të vazhduar do të thotë që kemi lidhur një kontratë pune për këto 4 vite që do të punojmë akoma më shumë seç punuam këto vite. Me shokët e opozitës duhet të thuash: Çfarë ndodhi, ndodhi, çfarë u tha, u tha, çfarë gomash u xhiruan dhe çfarë poçash u thyen nuk ka problem. Kur them unë rraqe janë dhe mund t’i zëvendësojmë prapë, por tani na duhet që për të mirën e Farkës të jemi të gjithë bashkë dhe të ecim përpara”, tha Veliaj.

Me rindërtimin në Farkën e Madhe kanë përfunduar 112, teksa në Lundër janë drejt përfundimit edhe 37 shtëpi të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA