Nuk pranuan humbjen/ Celibashi i përgjigjet opozitës: Rezultati i zgjedhjeve, në përputhje me vullnetin e votuesve

29/04/2021 11:42

Në një intervistë për “Top Channel”, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka komentuar edhe deklaratat e PD dhe LSI të cilat nuk e pranojnë rezultatin.

Celibashi është shprehur se të gjitha vendimet që KQZ ka marrë kanë shkuar barabartë për të gjitha palët, ndërsa theksoi se rezultati i zgjedhjeve është pasqyrim i vullnetit të qytetarëve, bazuar në atë që u pa ditën e zgjedhjeve dhe në numërimin e votave.

Celibashi: Ngelet për t’u vlerësuar se sa themelore janë ankimet e PD apo kujtdo subjekti. Me përgjegjësi të plotë mund të them se KQZ i ka përgatitur zgjedhjet të barabarta për të gjitha palët. Çfarë KQZ ka vendosur ka shkuar barabartë për të gjitha palët. Ajo që u pa ditën e zgjedhjeve me disa përjashtime sporadike dhe ajo që u pa gjatë nxjerrjes së rezultatit mund ta them me bindje se rezultati i zgjedhjeve është në përputhje me vullnetin e votuesve.

Po ashtu Celibashi foli edhe për numrin e lartë të fletëve të votimit, rreth 85 mijë të dala nga këto zgjedhje, duke shtuar se kjo është një pasojë e sistemit të ri të votimit.

Celibashi: Janë shumë vota të pavlefshme dhe e kemi patur këtë pritshmëri për një numër më të madh se ne zgjedhjet e shkuara, por jo kaq i madh sa sot. Është një sistem i ri votimi dhe komplikacioni i vetë fletës e ka sjellë këtë si pasojë. Ngelet për t’u parë për të ardhmen, por është shumë herët për t’u bërë e gjithë analiza në mënyrë shteruese.

Top Channel