Programi “Fiks Fare”, në Top Channel transmetoi mbrëmjen e së mërkurës skemën e shit-blerjes së votës në zgjedhjet e 25 prillit.

Në ambientet e jashtme të një qendre votimi në Njësinë nr. 2 Tiranë, të prezantuar si përfaqësues të LSI-së jepnin 100 mijë lekë të vjetra në këmbim të një karte identiteti. Një prej gazetarëve u paraqit në ketë qendër votimi.

Teksa kërkon emrin në listat e afishuara për të votuar, i afrohet një person i cili e pyet nëse ka votuar. Gazetarja i përgjigjet se nuk ka votuar ende dhe po kërkonte emrin e vetë dhe të familjarëve në listë. Në këto momente i riu i prezantohet si përfaqësues i LSI-së dhe i kërkon të flasin privatisht në një ambient më pak të vëzhguar. Ai e pyet se sa veta bëhen familjarisht që kanë të drejtë vote. Gazetarja e Fiksit i përgjigjet se janë 4 veta që votojnë në familjen e saj dhe në këto momente ai i kërkon fshehtësi të plotë mbi atë që do t’i kërkojë në këmbim.

Ai i kërkon që të votojnë LSI-në kundrejt pagesës. “Fiks Fare” gjithashtu solli dëshmi me video se si PD kishte angazhuar gjatë fushatës në këto zgjedhje gjithë mekanizmin e shitblerjes së votës. Në zyrën e shtabit të Partisë Demokratike në Laprakë, një ditë para zgjedhjeve, bashkëpunëtorët e Fiks Fare kanë kapur makina të cilat mbushnin bagazhet me ushqime e më pas i shpërndanin. Njëri prej bashkëpunëtorëve të Fiksit hyri brenda kësaj zyre elektorale dhe në këmbim të votës iu premtua një vend pune për të bijën.

Ai i tregon përfaqësuesit të PD-së se ka pesë familjarë që kanë të drejtë vote. Përfaqësuesi i PD-së i tregon se në atë zonë kandidon, Albana Vokshi dhe shprehet i gatshëm ta ndihmojë kundrejt votave për PD-në, pasi siç shprehet ai fitorja e PD-së është e sigurt në 25 prill. Brenda zyrës së shtabit elektoral të Laprakës në dyshemenë e saj duken qartazi edhe pakot e shumta me ushqime.

Top Channel