Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Turqinë dhe të gjithë aleatët e SHBA-së që të përmbahen nga blerja e armatimit rus, pasi në të kundërtën mund të përballen me më shumë sanksione amerikane.
Tensionet mes SHBA-së dhe Turqisë janë përshkallëzuar për një sërë çështjesh, duke nisur nga blerja e sistemeve të mbrojtjes raketore ruse nga ana e Ankarasë, pastaj të drejtat e njeriut dhe njohjen e gjenocidit armen nga ana e presidentit amerikan, Joe Biden.
Vitin e kaluar, Uashingtoni pezulloi Turqinë nga programi i saj i avionëve luftarakë të fshehtë F-35.
Ankaraja nënshkroi marrëveshjen me Moskën më 2017, duke e arsyetuar blerjen me nevojat e saj të sigurisë. Zyrtarët turq kanë thënë se sistemet ruse nuk do të integrohen në infrastrukturën mbrojtëse të NATO-s.
Dorëzimet e katër baterive të para të raketave, nga Rusia në Turqi, filluan në korrik të vitit 2019.
Blinken gjithashtu tha se njohja si gjenocid e masakrës ndaj armenëve nga Perandoria Osmane në vitin 1915, nuk do të duhej të ishte e befasishme duke pasur parasysh pikëpamjet e njohura gjerësisht të presidentit Biden.
Zëdhënësi presidencial i Turqisë tha të dielën deklarata e Biden ishte “thjesht e fyese” dhe se Turqia do të përgjigjej gjatë muajve të ardhshëm.
Top Channel