Sekuestrohen pasuritë e gjyqtarëve/ Vendimi i SPAK për Bashkim Dedja, Fatos Lulo dhe Shkëlzen Selimin

28/04/2021 15:14

SPAK sekuestroi disa nga pasuritë e tre prej ish-gjyqtarëve më të lartë në vend.

Pas shkarkimit nga detyra, për shkak të Vettingut, ata janë kontrolluar edhe nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit. Tre ish-gjyqtarët janë Fatos Lulo, ish–gjyqtar inë Gjykatën Kushtetuese, Bashkim Dedja, ish–Kryetar i Kushtetueses dhe Shkëlzen Selimi ish–gjyqtar në Gjykatën e Lartë, janë hetuar, për kryerjen e veprës te fshehjes dhe deklarimit te rreme te pasurisë.

Nga hetimi, rezultuan se ish-gjyqtarët kanë pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur. Për këtë arsye, SPAK i kërkoi gjykatës, sekuestrimin e pasurive të tyre. Kjo e fundit pranoi kërkesën për të vendosur në sekuestro një dyqan në Rrugën e Durrësit me sipërfaqe 172 metra katrore të ish-gjyqtarit, Fatos Lulos.

Gjithashtu u vendos nën sekuestro një apartament në zonën e plazhit në Golem të ish-kreut të gjykatës kushtetuese Bashkim Dedja. U pranua edhe kërkesa e SPAK për të sekuestruar disa prona të ish gjyqtarit të gjykatës së lartë Shkëlzen Selimi. Ai është një personazh i njohur për disa nga vendimet më problematike, i njohur edhe si miku i kriminelëve.

Shkëlzen Selimi ishte përgjuar duke biseduar me personazhe të krimit të organizuar të cilët e falënderonin për një vendim për lirimin e një të arrestuari.

Shkëlzen Selimit iu sekuestrua pjesa e pronësisë të një pike karburanti dhe tokës rreth tij që ndodhet në Shetitore Lungomare të Vlorës. Iu sekuestrua truall me sipërfaqe 2400 m2 në Jonufër, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimit. Iu sekuestrua pjesa e pasurisë truall dhe ndërtesa në një pikë Karburanti që ndodhet në Rrugën Transballkanike, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi.

Top Channel