Fuqitë botërore rifilluan bisedimet të martën në Vjenë për ringjalljen e paktit ndërkombëtar të vitit 2015 për të frenuar programin bërthamor të Iranit dhe për t’i rikthyer Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen nga e cila ish-Presidenti Donald Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme në 2018.
Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dëshiron të rikthejë vendin në marrëveshjen që synon të parandalojë Teheranin nga prodhimi i armëve bërthamore, megjithëse Irani thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore. Shtetet e Bashkuara nuk janë të pranishme në tryezën e negociatave, por diplomatët nga vendet e tjera në marrëveshje, Rusia, Kina, Britania, Gjermania dhe Franca, po përfaqësojnë interest amerikane në bisedime.
Ish-presidenti Trump, besonte se marrëveshja e miratuar nga ish Presidenti amerikan Barack Obama ishte shumë e dobët për të parandaluar Iranin nga prodhimi i një arme bërthamore, dhe vendosi të tërhiqej dhe të ashpërsonte sanksionet ekonomike të Shteteve të Bashkuara ndaj Teheranit me shpresën se regjimi iranian do të pranonte kufizime më të ashpra ndaj programit të tij bërthamor. Por asnjë marrëveshje e re nuk u arrit përpara se zoti Trump të linte detyrën në janar.
Teherani, pavarësisht rënies ekonomike, vendosi të rriste në mënyrë të qëndrueshme pastërtinë e uraniumit që e pasuron dhe rezervat e tij në një përpjekje deri më tani të pasuksesshme për të rikthyer vendet e tjera në një marrëveshje që do të siguronte lehtësime ekonomike. Bisedimet e reja po ndodhin disa ditë publikimit të komenteve të Ministrit të Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif se Rusia në një moment u përpoq të minonte marrëveshjen, me sa duket me shpresën se armiqësia e vazhdueshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit do të devijonte presionin amerikan ndaj Moskës.
Ministria e Jashtme ruse ende nuk ka reaguar ndaj komenteve të zotit Zarif, të bëra në një intervistë shtatë orëshe me një grup kërkimor të lidhur me presidencën iraniane. Para fillimit të bisedimeve, përfaqësuesi rus Mikhail Ulyanov tha se ai ishte takuar me zyrtarë nga Irani dhe Kina por nuk tha asgjë për komentet e zotit Zarif.
“Ne krahasuam shënimet tona dhe shkëmbyem mendime për rrugën përpara drejt rivendosjes së plotë të marrëveshjes bërthamore”, shkroi ai në Twitter. “Ishte një takim shumë i frytshëm”, shtoi ai. Zoti Ulyanov më vonë tha se negociatat kryesore “udhëhiqen nga qëllimi i përbashkët”. Fokusi i bisedimeve të reja është në shkallën në të cilën Shtetet e Bashkuara do të lehtësonin sanksionet ekonomike dhe se si Irani përsëri do të pajtohej me kushtet e marrëveshjes së vitit 2015.
Top Channel