Pas ambasadorit gjerman në Prishtinë, edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka reaguar ndaj lajmeve për të ashtuquajturën “non paper”, për të cilën po flitet në median kosovare, duke theksuar se “ajo nuk rrjedh nga pena e qeverisë gjermane”, thuhet në një reagim të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin, që ka ardhur në DW.
“Përkundrazi, ministri i Jashtëm Maas theksoi edhe një herë gjatë vizitave të tij në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar se “e gjithë mbështetja jonë shkon në dialogun e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, të moderuar nga BE, nën udhëheqjen e të dërguarit special të BE-së Miroslav Lajcak. Qëllimi i këtij dialogu për normalizimin është një marrëveshje e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse që kontribuon në stabilitetin rajonal, përfshin njohjen reciproke dhe kështu u mundëson të dy vendeve një perspektivë reale të BE dhe anëtarësimin në BE”, thuhet në deklaratë.
Të hënën (26.04) e përditshmja e mirinformuar kosovare “Koha ditore” kishte publikuar një “non-paper”, që paraqitej si i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale. Aty shkruhej se “në Kosovë do të krijohej një “distrikt autonom i Kosovës së veriut” sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Kisha Ortodokse Serbe do të kishte “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të Marrëveshjes, do të zotohej se “nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”.
Kryeredaktori i Kohës Ditore, Agon Bajrami, edhe pas përgënjeshtrimit të bërë nga Ambasada ka këmbëngulur nëpërmjet një mesazhi në Twitter, se “çështjet e diskutuara në dokumentin e botuar prej tij, janë ato që po trajtohen aktualisht në Bruksel”.
Ky është “non-paper”-i i dytë që hidhet në qarkullim në prag të vazhdimit të bisedimeve për normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë. Disa javë më parë një tjetër dokument , për të cilin flitej se ishte propozim i Sllovenisë qarkulloi në media dhe u bë shkak për indinjata të mëdha pasi aty propozohej ndryshimi i kufijve në rajon.Gjatë vizitës së tij javën e kaluar në rajon, ministri gjerman i punëve të jashtme, Heiko Maas, e kishte hedhur poshtë përfundimisht këtë ide.
Ndërkohë, pas zgjedhjeve në Kosovë, Brukseli sërish po përpiqet të riaktivizojë dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.Pas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq,në Bruksel ishte sot edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Të enjten Kurti dhe dy zëvendëskryeministrat e tij do do të kenë një debat me komisionin e jashtëm të Parlamentit Evropian.
Top Channel