“Basha të japë dorëheqjen”/ Marku komenton deklaratën e Nishanit: Ka inate personale se nuk ishte pjesë e listave

28/04/2021 21:48

Kandidati për deputet në listën e PD, Mark Marku ka folur në “Open” për humbjen në zgjedhjet e 25 prillit dhe deklaratat e demokratëve që kërkojnë dorëheqjen e Bashës.

Marku ngriti pyetjen përse nuk e kanë bërë këtë gjë me Sali Berishën por e bëjnë me Lulzim Bashën pikërisht tani që pretendon se i kanë vjedhur votat.

Mark Marku thekson se Bujar Nishani ka inate personale se nuk ishte në lista, por qëndron i prerë me idenë se nuk do të njohin zgjedhjet, megjithëse nuk ka ende një deklaratë zyrtare.

Mark Marku: Nishani kërkon dorëheqjen e Bashës. Përse nuk e ka kërkuar kur humbi Berisha? Nga 98 deri në 2005 nuk ia ka kërkuar asnjëri Berishës, përse ja kërkojnë Bashës kur ia kanë vjedhur Bashës. Është në të drejtën e tyre ta atakojnë, por është koha e gabuar.Basha ka vetëm një përgjegjësi, të dalë të mbrojë votën. Kurrë s’do pushojmë dhe nuk do biem në qetësi derisa ata hajdutë të futen në burg.

Basha i merr vendimet vetë. Unë e injoroj këtë si lëvizje. Përse këto emra nuk e kanë bërë me Berishën. Inatet personale, meqë Nishani nuk ishte në lista, tani duhet të ikë Basha. Nuk do të njohim zgjedhjet. Do të dalim me deklaratë zyrtare. Po të kishte ndodhur në ndonjë vend të botës, gazetarët do kishin lëvizur nga vendi.

Marku shton se Bashës duhet t’i kërkohet përgjegjësi pasi të sqarohet nëse janë vjedhur apo jo votat. Ndërsa për PSD thotë se ka fituar 3 mandate me blerjen e votës dhe për këtë përmend edhe denoncimin e ambasadës amerikane për ta lënë jashtë zgjedhjeve.

Mark Marku: Unë mendoj që tema kryesore është vjedhja e zgjedhjeve dhe pavarësisht për respektin që kam për ata që kanë nënshkruar, kjo është gjëja e gabuar dhe e pandershme. Arben Imami ia kërkoi mes fushatës kështu që cështja themelore është vjedhja e zgjedhjeve. Ashtu sic e di unë nga terreni, ka qenë gjëja më e tmerrshme që i ka ndodhur Shqipërisë dhe të dyja janë të lidhura bashkë.

Ne jemi në proces, akoma nuk kemi mbaruar atë elektoral. Do duhej të sqarohej a janë vjedhur apo jo zgjedhjet dhe pas kësaj mund t’i kërkohet Bashës përgjegjësi. Nëse të gjithë shqiptarët e dinë se zgjedhjet janë vjedhur, si mund të dijë që ka humbur? Edhe hapja e kësaj teme është në shërbim të mbylljes së kësaj maskarade. Janë futur në një lojë. PSD e Tom Doshit ka fituar 3 mandate dhe mënyra si ka fituar e dinë të gjithë se është denoncuar nga ambasada amerikane.

Top Channel