“Shembulli i paaftësisë”/ Nishani kërkon dorëheqjen e Bashës: Po mban peng PD! Sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal

27/04/2021 21:03

Ish Presidenti Bujar Nishani duket se fajëson Lulzim Bashën për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Në një reagim publik, e cilëson si fajtor të dështimit personal prej 8 vitesh dhe thotë se mban peng Partinë Demokratike.

Ndër të tjera, thekson se Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu, ndaj nuk duhet ta marrë peng askush. Nishani e cilëson si momentin e duhur për tu “çliruar nga paaftësia dhe modeli që po e asgjëson pak nga pak.

Në përfundim përdor shprehjen e Donald Trump duke shkruajtur “MakePDGreatAgain”.

Shkrimi i plotë

Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur.

Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve!

Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjëson atë pak nga pak.

Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë.

Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike radhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal!

Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh!

Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.

Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu.

Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve.

Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim !

#MakePDGreatAgain

Top Channel