Nënkryetari i PD në Durrës, Gazmend Luku është shoqëruar në komisariat pas një përplasje që pati me një grup simpatizantësh të PS.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se ata i kanë shkuar në lokalin që ka në Manëz dhe duket se atje ka pasur një konflikt.
Dyshohet se ka nisur provokimi pas rezultatit të zgjedhjeve. Mësohet se Luku është shoqëruar në komisariat së bashku me vëllezërit e nipat.
“Më datë 27.04.2021, në orën 20:30, në Manëz, në rrugë, janë konfliktuar verbalisht shtetasit G. L., M. L., D. L., M. S., Sh. L., M. H., dhe M. H., të cilët janë shoqëruar në ambientet e Policisë për tu pyetur mbi rrethanat e konfliktit dhe për tu trajtuar në zbatim të procedurave ligjore”, njofton policia.
Kujtojmë se një përplasje ka pasur edhe në një qendër tjetër votimi, ku u përplasën Ferdinand Xhaferri me mbështetësit e PS ku ndodhej Ardian Çela dhe ish kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.
Procesi i numërimit të votave ka përfunduar me fitoren e PS në Durrës. PS kryesoi me 76,924 vota, e ndjekur nga PD që numëron 63,431 vota. LSI ka 9,480 vota, por pa siguruar një mandat. PS ka arritur të rrëmbejë 8 mandate në Durrës, ndërsa pasohet nga PD me 6.
Top Channel