Pas përplasjes fizike, rinis puna tek KZAZ nr 30 në Tiranë. Celibashi ndjek nga afër procesin

27/04/2021 00:48

Pas konfliktit fizik që ndodhi mes vëzhguesve dhe numëruesve tek KZAZ nr.30 në Tiranë, ka rinisur puna për numërimin e votave.

Procesin po e vijojnë vëzhgues të rinj, ndërsa të tjerë që ishin më parë nuk duhet të përfshihen derisa të zbardhet burimi i përplasjes fizike që ndodhi më parë.

Deri tani dihet se janë shoqëruar 8 persona. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi nuk është larguar ende për të parë procesin dhe për të ndjekur nga afër punën e vëzhguesve të rinj. Pas numërimit të votave në tavolinë, pritet që të bëhet 4 orë pushim për të vijuar sërish procesin.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se pas sherrit janë shfuqizuar të gjithë akreditimet e vëzhguesve në KZAZ numër 30.

“Kemi shfuqizuar akreditimet e vëzhguesve dhe kemi dhënë akreditime për vëzhgues të tjerë. Kemi dhënë akreditime të reja për vëzhgues të ri nga një për 13 subjekt zgjedhor, dhe në këtë sallë nga ky moment do të jenë vëzhguesit e subjekteve, 13 të tillë, do jenë vëzhgues të organizatave jo fitimprurëse, përfaqësues të medias dhe kandidatët, të gjithë vëzhguesit që kanë pasur akreditim deri më tani.

Kemi autorizuar një pushim prej 4 orësh dhe konsultim dhe me kandidatët për deputet. Ishin në nevojë për ta pasur këtë pushim dhe nuk bënte sens që anëtarët e KZAZ të vazhdojnë se kishin që prej të premtes. Nuk i njohin, nuk ishin as anëtarë apo numërues. S’ka pasur probleme me punën e policisë”, tha Celibashi.

Top Channel