Tiranë/ Fotografoi votën dy herë! Njëherë për PD dhe pastaj LSI-në, ja kush është qytetari që u arrestua

25/04/2021 10:06

Top Channel mëson se tek shkolla Çajupi në Tirane një qytetar ka tentuar të fotografojë votën.

Personi në fjalë, siç mëson Top Channel është Granit Sulku dhe ai është pikasur nga komisionerët. Granit Sulku pasi ka marrë fletën e votimit ka votuar subjektin politik PD dhe e ka filmuar votën dhe i ka thënë komisionit se iu prish fleta e votimit.

Komisioni i ka dhënë një fletë tjetër votimi dhe ky shtetas pasi ka votuar LSI e ka filmuar përsëri votën.

Ky veprim është vënë re nga vëzhguesit dhe e kane bllokuar dhe kane njoftuar policinë. Në përfundim të veprimeve, ky shtetas është arrestuar në flagrancë.

Granit Sulko

.

Kujtojmë se fotografimi i votës dënohet 3 muaj deri 3 vite burg.

Njoftimi

Më datë 25.04.2021, rreth orës 10:10, është marrë njoftim nga Komisioni i Qendës së Votimit Nr. 1767, e cila ndodhet në shkollën “Andon Zako Çajupi” se është bllokuar përkohësisht procesi i votimit, pasi nga anëtarët e Komisionit është konstatuar një shtetas që po fotografonte votën e tij.

Me vendimin Nr. 1 të datës 25.04.2021, të Qendrës së Votimit, është kërkuar ndihma e Policisë së Shtetit.

Pas marrjes së vendimit, shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë hyrë brenda qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para ka rezultuar se shtetasi G. S., 30 vjeç, pasi është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek dhoma e fshehtë.

Pasi ka kryer veprimet, ka fotografuar votën e tij dhe ky veprim është parë nga anëtarët e Komisionit.

Shtetasit G. S. i është bllokuar fleta e votimit dhe më pas nga sherbimet e Policisë është bërë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit, për veprime të metejshme hetimore.

Në përfundim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. S., 30 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.

Top Channel