Pas mbylljes së procesit të votimit, debatoi me komisionerët dhe plagosi policin/ Arrestohet 32-vjeçari në Fushë Arrëz

25/04/2021 23:15
Foto ilustruese

32-vjeçari, Mikel Lleshaj është arrestuar në Fushë Arrëz, pasi dyshohet se plagosi me thikë një punonjës policie, teksa ishte në krye të detyrës, në qendrën e votimit.

Burime për Top Channel raportuan se Mikel Lleshaj ka qenë nën efektin e alkoolit dhe i është afruar qendrës së votimit në momentin që ajo po mbyllej. Pasi ka debatuar me komisionerët dhe policin, ai ka goditur këtë të fundit me thikë.

Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Bardhet të Njësisë Administrative Qafë Mali të rrethit Pukë, ku u plagos me thikë një punonjës policie që ishte në krye të detyrës, organizuan punën dhe falë kontrolleve dhe reagimit të menjëhershëm bënë të mundur që në kohë rekord të lokalizohej, kapej dhe arrestohej autori i plagosjes, shtetasi Mikel Lleshaj, 32 vjeç, banues në fshatin Qafë Mali, Pukë.

Ky shtetas, rreth orës 19:00, gjatë mbylljes së procesit të votimit, në momentin e mbërritjes në QV për të shoqëruar kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore, ka plagosur me mjet prerës (thikë), punonjësin e Policisë G. O., i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Materialet do t’i kalojë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” mbetur në tentativë.

Top Channel