Numri i të vdekurve si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në Mianmar në protestat kundër puçit ushtarak dhe ndalimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë është rritur në 745.
Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), gjashtë viktima të tjera janë konfirmuar në 24 orët e fundit nga ndërhyrja e forcave të Mianmarit. Numri i përgjithshëm i viktimave është azhurnuar në 745, ndërsa i të arrestuarve në 3.371.
Ndërkohë, aktualisht ekzistojnë urdhra arresti për 1.118 persona.
Protestat vazhdojnë
Mësohet se një nga viktimat e djeshme ishte një vajzë 14-vjeçare e cila u qëllua në kokë ndërsa ushtria po ndërhynte kundër protestuesve në Mandalay. Nga ana tjetër, studentët anti-grusht-shteti protestuan kundër ftesës për udhëheqësin e qeverisë ushtarake, gjeneral Min Aung Hlaing, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) të mbajtur sot në Indonezi.
Dhjetëra mijëra studentë u mblodhën në Yangon dhe kundërshtuan grushtin e shtetit me parullën “Duam demokraci”. Demonstruesit mbanin parulla që mbështesnin Qeverinë e Unitetit Kombëtar, të cilën deputetët anti-grusht-shteti e krijuan kundër sundimit ushtarak më 16 prill.
Top Channel