Presidenti i SHBA Joe Biden do të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar dhe Belgjikën në qershor, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që prej ardhjes në detyrë, njoftoi Shtëpia e Bardhë të premten.
Udhëtimi synon të nxjerrë në pah “angazhimin e presidentit amerikan për të riparuar aleancat tona, për të rigjallëruar marrëdhëniet ndëratlantike dhe për të punuar në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki në një deklaratë.
Njoftimi u bë ndërsa Presidenti Biden i dha fund një takimi botëror të nivelit të lartë, që shënoi një angazhim të ri amerikan në përpjekjet për të luftuar ndryshimin e klimës. Presidenti Biden do të marrë pjesë në samitin e G7-s në Kornuoll të Britanisë, nga 11 deri 13 qershor, ku do të zhvillojë takime dypalëshe me udhëheqësit e shtatëshes, përfshirë Kryeministrin britanik Boris Johnson, tha Shtëpia e Bardhë.
Prej andej, Presidenti Biden do të shkojë në Bruksel për Samitin e NATO-s në 14 qershor. “Presidenti Biden do të afirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s, sigurinë transatlantike dhe mbrojtjen kolektive,” tha sekretarja e shtypit.
Top Channel