Ngjarja në Maqellarë/ Policia del me njoftim zyrtar: U arrestuan dy persona dhe u sekuestrua një shumë lekësh

23/04/2021 11:38

Policia e Dibrës ka dalë me njoftim zyrtar për ngjarjen e djeshme në Maqellarë të Dibrës, ku simpatizantë të PD-së ndaluan një makinë dhe pretendonin se ajo i përkiste kampit socialist dhe se synonte shpërndarjen e parave për blerjen e votës.

Në njoftimin për media policia e Dibrës bën me dije se dy persona janë arrestuar në flagrancë si dhe dy personat që ndaluan makinën janë proceduar penalisht pasi duke bllokuar makinën kanë bllokuar rrugën Peshkopi – Maqellarë.

Policia raporton se pas kontrollit të mjetit janë gjetur dhe sekuestruar një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti.

Njoftimi i plotë:

Specialistët për Hetimin e Krimit  në  Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale  “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të shtetasve:

A.C., 25 vjeç dhe D. Xh., 36 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër.

Më datën 22.04.2021, rreth orës 14:00, në segmentin rrugor Maqellarë-Peshkopi, në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, Policia sekuestroi  një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për shtetasit  A. S. dhe G. H., banues në Dibër, pasi u kanë bllokuar rrugën dy shtetasve të arrestuar, në afërsi të rrethrrotullimit të Maqellarës, duke bllokuar rrugën Peshkopi – Maqellarë.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur iu referuan  Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel