Burime për Top Channel bëjnë me dije se janë 536 shtetas që kanë aplikuar si hetues në BKH, ndërsa aplikimet janë tashmë të mbyllura.

Ndërkohë që siç është bërë e ditur më herët vetëm 32 prej tyre do të përzgjidhen. Deri më tani në BKH janë zgjedhur 28 hetues, ndërsa në total do të bëhen 60 agjentë.

Hetuesit e BKH-së kanë përgjegjësinë të kryejnë hetime penale nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm dhe kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore.

Janë një sërë testesh në të cilat kandida sprovohen si:

Një provim me shkrim e me gojë, ku përfshihen teste konjitive, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik;

Një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit;

Një intervistë nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë për t’i komunikuar idetë me efiçencë;

Një testim të aftësive fizike që mat forcën dhe rezistencën fizike;

Dhënia e pëlqimit për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit të kandidatit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të emërimit.

Kontrolli i verifikimit të pasurisë dhe figurës;

Kandidati i pranuar do ti nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të çertifikohet. Pasi është çertifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues.

Top Channel