Ngjarja e rëndë në Elbasan/ 4 të plagosurit në gjendje të qëndrueshme, efektivja transportohet te Trauma

22/04/2021 09:45
Efektivja Xhensila Soto

Gjendja e 4 të plagosurve pas përplasjes me armë të ndodhur një ditë më parë në Elbasan është e qëndrueshme.

Efektivja e policisë, Xhensila Sota është në spitalin e Traumës bashkë me Emiljan Prengën dhe Pavlo Vuksanin, ndërsa  Eltjon Bodinaku ndodhet ende në spitalin e Elbasanit.

Nga përplasja e simpatizantëve të PD dhe PS-së,  5 ditë para 25 prillit mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani, një eksponent i njohur, dikur i përfshirë me LSI dhe së fundmi i aktivizuar me fushatën e socialistëve.

Ai u qëllua me armë zjarri nga Arbër Papleka, i cili u vetëdorëzua në polici.

Për pasojë nga plumbat janë plagosur katër persona, mes tyre edhe një punonjëse e policisë. Të plagosurit janë: Emiljan Prenga ,Pavlo Fran Vuksani , Eltjon Bodinaku, Xhensila Sota.

Nga të plagosurit Emiljan Prenga dhe Pavlo Vuksani, njëri prej tyre ka marrë plumb në kokë ndërsa tjetri plumb në bark dhe në pjesën e krahut.

Bodinaku i cili pati plagët më të rënda nga kjo përplasje i është nënshtruar nje operacioni në spitalin e Elbasanit.

Ndërsa efektivja ka marrë vetëm një plumb në këmbë dhe u trajtua fillimisht në spitalin e Elbasanit.

Top Channel