Franca “ka lënë mbrapa” valën e tretë të pandemisë

22/04/2021 20:52

Piku i valës së tretë të pandemisë së koronavirusit në Francë, “duket se është mbrapa nesh”, ka thënë kryeministri i këtij vendi Jean Castex të enjten, duke njoftuar se kufizimet në udhëtim do të lehtësohen në fillim të muajit tjetër.

Ai u ka thënë gazetarëve se është vërejtur “rënie e qarkullimit të virusit në 10 ditët e fundit”, duke konfirmuar se kufizimet që ua ndalojnë njerëzve lëvizjen më larg se 10 kilometra nga shtëpitë e tyre, do të hiqen më 3 maj.

Aktualisht Franca është nën izolim të tretë, me qëllim të luftimit të pandemisë.

Masat e marra këtë herë është konsideruar se janë më të lehta në krahasim me izolimet në të kaluarën, pasi aktivitetet në ambiente të jashtme janë inkurajuar me qëllim të promovimit të shëndetit mendor.

Shumica e dyqaneve jo të domosdoshme kanë qenë të mbyllura, ashtu sikurse kafiteritë, restorantet dhe qendrat kulturore.

Castex ka thënë se “dyqanet, qendrat kulturore, aktivitetet sportive dhe hapësirat e jashtme të restoranteve” do të mund të rihapen “në mesin e muajit maj”, varësisht nga situata epidemiologjike.

Ai ka thënë së qeveria mund të lejojë rihapjen në baza rajonale, ku virusi është më pak i përhapur.

Ora policore, që nis nga ora 19:00, do të vazhdojë të zbatohet deri në një njoftim tjetër, ka thënë kryeministri francez, duke shtuar se heqja e kësaj mase do të shqyrtohet në mesin e muajit maj.

Prej shpërthimit të pandemisë, autoritetet franceze kanë regjistruar 102,164 persona të vdekur me këtë virus.

Deri më tani, mbi 13 milionë persona në këtë shtet kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA