Blerja e votës në Pukë, PSD i përgjigjet Metës: Në video është djali dhe daja im. Para disa ditësh, u arrestua njëri i LSI

22/04/2021 20:20

Partia Social Demokrate në Shkodër përmes kandidatit Bilbil Dervishi i kundërpërgjigjet presidentit Ilir Meta i cili gjatë ditës së sotme publikoi një video, ku sipas tij ishin anëtarët e PSD të cilët blinin votat në Pukë.

Kandidati Dervishi thotë se në makinën ku ishte i biri dhe daja i tij, nuk u gjetën as para dhe as karta identiteti, por i kujton presidentit Meta se gjatë kësaj jave policia e Pukës arrestoi në flagrancë një prej anëtarëve të LSI duke blerë vota dhe pastaj edhe kryetarin e LSI në Pukë për këtë vepër penale.

Sipas PSD ky sulm nga presidenti vjen pasi LSI po humb edhe mandatin që ka patur në 8 vitet e kaluara.

Bilbil Dervishi: Duke marrë shkak nga një dalje publike e Presidentit sot paradite, në emër të PSD bëjmë këtë deklaratë. Një nga videot e shfaqura nga Presidenti është dhe një video që e piketoi si vjedhjen e votave në Shkodër.

Në video ishte djali im me dajën tim që po ktheheshin për në qytet pas një dite pune për fushatë zgjedhore dhe siç e keni parë edhe ju, në video nuk ka asnjë fakt që provon se aty kishte vjedhje apo blerje votash. Fakti që ishte një fletë që tregohej se ku duhet votuar numri 1 dhe 4 tek PSD, nuk tregon asgjë tjetër veçse lajthitje të atyre që duan të abuzojnë me këto gjëra.

Aktivitetin tim në fushatën zgjedhore e kam ndërtuar në bazën e komunikimit me njerëzit ashtu sic është  gjithë fryma e PSD, të cilën unë përfaqësoj dhe nuk e kemi ndërtuar në bazën e shitblerjes së votës. I bëj me dije presidentit të Republikës se para disa ditësh në Pukë është arrestuar një aktivist i LSI që janë gjetur paratë dhe dokumentet që tregonin shitblerjen e votës. Personi sot ndodhet i arrestuar, ndërsa personat që po bënin kontrollin e automjetit, ndoshta është policia e tij, jo e shtetit. I zënë në panik, presidenti do të bëjë presion në PSD se po sheh rritjen tonë dhe humbjen e mandatit të tyre në Shkodër. 25 prilli do tregojë se PSD do të jetë forcë kryesore në Shkodër dhe Shqipëri.

Top Channel