U kapën në lokal pas orës 22:00, arrestohen dy ish të dënuar dhe një 37-vjeçar. Gjobitet edhe pronari i lokalit

20/04/2021 09:44

Policia e Durrësit ka vënë në pranga tre persona, pasi u konstatuan se kishin thyer rregullat për zbatimin e masave anti-COVID.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 13, Plazh. Pasi është konstatuar se lokali ishte hapur ehe pas orës 22:00, policia ka shkuar dhe i ka kërkuar shtetasve që ndodheshin brenda në lokal, dokumentet e identifikimit. Tre prej tyre nuk kanë pranuar t’i tregojnë, duke i kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.

Autoritetet njoftojnë se dy prej të arrestuarve janë ish të dënuar, ndërsa tjetri është një 37-vjeçar.

Po ashtu është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë pronari i lokalit, pasi është konstatuar duke ushtruar aktivitet në subjektin e tij, pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Njoftimi i plotë:      

Kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë, arrestohen në flagrancë 3 shtetas.   

Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në terren për të monitoruar zbatimin e masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në lagjen nr. 13, Plazh, një lokal të hapur pas orarit të përcaktuar për mbyllje, brenda të cilit ndodheshin disa persona. Shërbimet e Policisë, pasi i kanë kërkuar shtetasve që ndodheshin brenda në lokal, dokumentet e identifikimit, 3 prej tyre nuk kanë pranuar t’i tregojnë, duke i kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.     

Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, shtetasit:

H.B., 55 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”; E. B., 26 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” (vëllezër) dhe A. C., 37 vjeç, të tre banues në Durrës.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë pronarin e lokalit, shtetasin E. P., pasi është konstatuar duke ushtruar aktivitet në subjektin e tij, pas orarit të përcaktuar për mbyllje.   

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel