Foto ilustruese

Policia e Korçës ka vënë në pranga një 34-vjeçar, pasi është kapur duke transportuar 17 emigrantë të paligjshëm kundrejt shpërblimit, drejtë vendeve të BE-së.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se 34-vjeçari u kap në aksin Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Cangonj, Devoll, duke i transportuar emigrantët me fugon.

Njoftimi i plotë:

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt shpërblimit.

U kap duke transportuar 17 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me shërbimet e “Frontex” dhe  specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit P. L., 34 vjeç, banues në Fier.

Shtetasi i mësipërm u kap nga forcat e Policisë, në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Cangonj, Devoll, duke transportuar me një mjet furgon tip “Fiat” 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Top Channel