Plagosja e pesë-fishtë që ndodhi një ditë më parë në xhaminë e Dine Hoxhës në rrugën e Kavajës, tashmë i ka kaluar për hetime të mëtejshme, antiterrorit.

Burime bëjnë me dije për Top Channel, se deri tani, vepra penale  e ngarkuar ndaj autorit e plagosjes, Rudolf Nikollin, është vepra kundër personit që mund të shkaktojnë vdekjen ose plagosjen e rëndë. Deri tani nuk ka asnjë indice për një akt terrorist , megjithatë hetimet pritet të shtrihen më tej.  Kjo nënkupton që gjatë rrugës mund të ketë edhe ndryshim të veprës penale.

Pas arrestimit, autori i plagosjes është marrë në pyetje nga grupi hetimor, por ai ka folur shumë pak lidhur me shkaqet e ngjarjes. Në pyetje janë marrë edhe familjarët të 34 vjeçarit Nikolli, në lidhjen me gjendjen shëndetësore dhe mendore të tij, por edhe për personat që ai ka qenë i shoqëruar së fundmi.

Familjarët janë shprehur se djali i tyre ka filluar të shfaqë probleme të shëndetit mendor dhe se kohët e fundit ishte bërë edhe agresiv, për shkak se refuzonte të merrte ilaçet që i kishte dhënë psikiatri. Në këtë pikë burimet shtojnë se hetimet do të përfshijnë edhe kartelat mjekësore të Rudolfit. Sa herë ka qenë i shtruar në psikiatri, kur është hera e fundit që ka dalë, dhe nëse autori i plagosjes ka qenë i aftë për riintegrimin në shoqëri.

Problemet e 34 vjeçarit kanë nisur pasi ai ishte kthyer nga Anglia, të cilat i ka shfaqur edhe në dhunë brenda familjes, por edhe në një tjetër plagosje një muaj më parë. Ai qëlloi me thikë pranë terminalit të autobusëve tek kthesa e Kamzës, mikun e tij.

Kujtojmë se një ditë më pare, Rudolf Nikolli, me një thikë në dorë hyri në xhami  duke qëlluar tre besimtarë. Pak çaste më parë, ai kishte qëlluar përballë xhamisë një pronar picerie, ndërsa më pas qëllon edhe një shitës.

Ishin pikërisht besimtarët myslimanë dhe kalimtarët e rastit qe e neutralizuan atë.

Pas disa minutash, mbërrijnë edhe forcat e policisë, që e largojnë me shpejtësi autorin e sulmit, drejt policisë së Tiranës.

Top Channel