Në një tryezë me autorin e ngjarjes në Kavajë/ Kryebashkiaku i Kavajës: Ngjarja nuk kishte nuanca politike

20/04/2021 16:31

Kryebashkiaku i Kavajës, Redjan Krrali ka mohuar pretendimet se incidenti në selinë e PD gjatë ditës së djeshme të ketë nuanca politike.

Në një intervistë për emisionin “Breaking” në Top News, ka zgjedhur që të mos e komentojë aspak njohjen me autorin e ngjarjes, Ndriçim Jonuzin, me të cilin ka qarkulluar një fotografi teksa ndodheshin në një tryezë me njëri-tjetrin.

Redjan Krrali: Unë zgjedh të mos e komentoj videomesazhin dhe për këdo që jeton në qytet, e njeh më së miri. Janë bashkëqytetarët e Kavajës që e njohin të gjithë. Sinqerisht, kemi një fushatë model, shumë të qetë. Është krejt normale, asnjë lloj problemi.

Ne kemi një fushatë qytetare, nuk e kemi në natyrë të krijojmë incidente. Mohoj në mënyrë kategorike që ngjarja të ketë nuanca politike. Dëshmitarët kanë deklaruar se ishte rastësi, nuk e di pse e kanë bërë publike.

Në një deklaratë nga arratia, Ndriçimi pranoi autorësinë e plagosjes, por nga ana tjetër theksoi se kjo ngjarje nuk është politike.

Ndriçimi shtoi se ishte ‘i mbushur’ dhe reagimi i ashpër i tij erdhi edhe si pasojë e ngjarjes së rëndë të ndodhur dje në Tiranë, ku një qytetar hyri dhe plagosi gjashtë besimtarë në xhaminë ‘Dine Hoxha’, te Rruga e Kavajës.

Gjithashtu ai hodhi poshtë deklaratat e Bashës së është militant i PS-së, duke shpjeguar se prej vitesh ka qenë mbështetës dhe simpatizant i PD-së, por tashmë ka hequr dorë nga angazhimi me politikën.

Ndriçim Jonuzi/ Tahiri: Dua të sqaroj vëllezërit e mi myslimanë që s’kam n’jetë me u marr me politikë. Më kanë thënë që Basha më ka cilësuar socialist dhe nuk me vjen mirë fare me mi humb të gjitha ato sakrifica për PD-në.

Është dashur me fol par me gjithë ata të PD-së së vjetër jam apo nuk jam socialist unë.

Kam bërë shumë më tepër sakrifica për PD po nuk e shoh të udhës të flas me këtë video.

nuk jam krenar për atë që kam bërë se si besimtar që jam zoti më faltë, duhet të kisha bërë sabër por ska lidhje me punë politike. Dje ndodhi ajo që ndodhi në xhaminë Dine Hoxha dhe kisha shumë mërzitni brenda.

Kur shoh këtë mistrecin dhe i zë rrugën, tha them edhe me emër se i kam parë të gjithë ata aty, po nuk flasin se ia ka qejfi për fushatë. Mir Gjoci që nuk ka asnjë flok të zi më në kokë i ka të gjitha të bardha prej thinjave dhe kishte nënën e vet, me shami në kokë dhe duke ik padyshim me çel iftar te ropt e vet, dalin dy horra që bëjnë të fortë se prag fushate janë bërë çupa pa e dit buzat e la me qumësht se çfarë bëhet nëpër qytet.

Thjeshtë i kam fol, hap rrugën nuk e sheh që ke një nën me shami dhe këto tipat që shtrembërojnë buzë e vetulla, ky është problemi që s’i kam duruar dot.

Më vjen keq për nënën e tij se nëna është nënë. Vëllezër ma boni hallall për shqetësimet, por të rrini pa merak me lejen e Allahut se Çim Jonuzi i ka mbaruar ato punët kur u ingranonte me PD. Për mua sot janë të gjithë njësoj, s’më intereson asnjë lloj partie. Kujtohen me ne vetëm një herë në 4 vjet. U kujtova për këtë punë kur u bëra 40-vjeç por nuk kam se çfarë të bëj.

 

Top Channel