Ministria e jashtme e Kinës tha sot se Japonia mban përgjegjësi para njerëzimit pas njoftimit të planeve të lëshimit të mbetjeve të lëngshme bërthamore në oqean, pa u konsultuar me vendet fqinje.
Zëdhënësja e ministrisë së jashtme Wang Wenbin tha sot se Japonia nuk ka arritur konsensus me komunitetin ndërkombëtar apo me fqinjët e saj, për mënyrën më të mirë e më të sigurtë të eliminimit të mbetjeve të lëngshme “të trajtuara” nga impjanti bërthamor i mbyllur i Fukushimës.
Wang tha se Japonia kishte pesë opsione të vlefshme por zgjodhi atë më pak të kushtueshëm. “Tokio nuk po ezauron metodat e eliminimit të siguritë. Por për interesin e saj, në mënyrë unilaterale zgjodhi hedhjen në oqean me koston më të ulët në krahasim me depozitat e izoluara të ruajtjes në impjant”, tha ajo.
Zëdhënsi tha se opsioni i zgjedhur nga Tokio ishte rezultati më i keq për komunitetin global. “Ky plan e lë botën me rreziqet më të mëdha mjedisore, të shëndetit e të sigurisë, dhe transferon përgjegjësinë e veçantë të dikujt, te i gjithë njerëzimi. Kjo sjellje është e papërgjegjshme.”
Javën e kaluar Tokio njoftoi se gjatë një periudhë dy vjeçare do të hedhë në det mbetjet e lëngshme bërthamore të centralit të shkatërruar të Fukushima, pasi nuk ka më kapacitet për depozitimin e lëngjeve. Plani është pritur me zemërim edhe nga fqinjë të tjerë të Tokios.
Grupi i mbrojtjes së mjedisit Greenpeace ka thënë më parë se edhe mbetjet e lëngshme “të trajtuara” kanë substanca radioaktive që mund të dëmtojnë ADN-në e njeriut.
Japonia ka akumuluar rreth 1 milionë ton mbetje me përmbajtje radioaktive tritiumi, që prej dështimit të centralit bërthamor nga tsunami masiv.
Top Channel