Karantinohen 100 persona/ Erdhën sot nga Greqia, 40 janë të huaj. Nuk e dinin për urdhrin e komitetit

20/04/2021 19:52

Gati 100 qytetarë kanë hyrë në Shqipëri prej kufirit me Greqinë deri mesditën e sotme.

Që prej orës 6 të mëngjesit të sotëm sipas urdhërit të komitetit të ekspertëve ata detyrohen të karantinohen për dy javë pas hyrjes në Shqipëri. Prej tyre 40 kanë qenë qytetarë të huaj dhe sfida për ta ishte sigurisht deklarimi i adresave ku do të karantinohen. Për më tepër shumica e qytetarëve nuk kishin dijeni për këtë urdhër të ri të komitetit të ekspertëve.

“Jo nuk e di. Tani po e dëgjoj unë. Sa kohë është? Që prej sot në mëngjes. Obobo, nuk di gjë unë. Deri sa nuk më ka njoftuar kush pse të karantinohem? Ta mbajnë përgjegjësinë ata pushtetarët atje që duhet të njoftojnë një javë para që në filan datë do të ketë karantinë.”

“Nuk dimë asgjë. Kemi ardhur në Shqipëri për të qëndruar 4-5 ditë e do ikim se kemi halle e punë. Por kjo është krim me na lenë ne pa votuar. Më bëj testin n.q.s. jam i sëmurë e mbajmë në shtëpi por po isha në rregull, ja ku e kam letrën që kam bërë edhe vaksinën.”

Qytetarët detyrohen të plotësojnë këtij një formular ku pranojnë karantinimin për dy javë ndërsa për zbatimin e kësaj mase janë përgjegjëse policia e rendit dhe Inspektorati Shëndetësor. Penalitetet në rast thyerje të karantinës shkojnë nga gjoba me vlerë 70 mijë lekë deri në ndjekje penale.

Situata e re ka nxitur reagimet e palëve politike që garojnë në zgjedhjet e së dielës. Për opozitën, LSI dhe PD në Gjirokastër kjo masë shkel të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të votuar si dhe ka shkelje të rënda të elementëve të demokracisë. Ndërsa për PS kjo nuk është një situatë politike por i takon ekspertëve sipas tyre që të vendosin për masat që lidhen me Covid 19.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA