Kandidati për deputet i PSD në qarkun e Shkodrës, Bilbil Dervishi ka reaguar rreth videos së publikuar ditën e sotme, ku shfaqeshin disa persona të cilët dyshohen se po blinin vota në Pukë, në këmbim të parave.
Dervishi është shprehur se këta persona të cilët shfaqeshin në këtë video kanë qenë djali i tij dhe daja e tij, duke shtuar më tej se këta të fundit i kanë zënë në pritë 12 ose 15 persona, të cilët i kanë ofenduar dhe dhunuar.
Deputeti i PSD-së thotë se strukturat e sigurisë janë në dijeni për ngjarjen dhe kanë nisur hetimet, duke shtuar se nuk ka pasur kurrë asnjë problem me këta persona.
Sipas Dervishit nuk ka asnjë blerje apo trafik votash në këtë ngjarje.
Bilbil Dervishi: Në emër të PSD dega Shkodër dhe në emrin tim, dua të bëj një deklaratë për mediat duke marrë shkak nga transmetimi i një video në faqen e facebook-ut të qytetarit digjital, ose siç njihet ndryshe plaku mere, ose Sali Berisha, i cili ka nxjerrë një video me mbishkrimin “kapen në flagrancë nga qytetarë guximtarë, kriminelë, patronazhistë, falsifikatorët të votave”. Në atë video është djali im që kam këtu në krahun e majtë, Fabioni, dhe daja im Hysni Haxhiaj, babai i të cilit në vitin 1986 ka vdekur në burgjet komuniste si i dënuar politik, i cili nga viti 91’ deri në 2021 ka qenë anëtarë i PD-së, komisioner dhe përkrahës i PD, në këto zgjedhje është bashkuar me mua. Nuk e di nëse ata që ja kanë çuar e kanë ditur se kush janë personat dhe sa kriminelë janë këta, nuk e di se ku e ka gjetur guximin ai ti quaj këta qytetarë guximtarë me titull, se si janë guximtarë nuk merrem me atë punë, sepse unë kam 35 vite që punoj në strukturat e shtetit dhe 30 prej tyre në policinë e shtetit. Strukturat e sigurisë që atë natë e kanë marrë në dijeni për ngjarjen dhe janë duke hetuar.
Unë nuk kam pasur asnjë problem me këta persona, hetimi me siguri do ta nxjerrë se kush janë këta qytetarë guximtarë dhe do ta kuptojë edhe ai që ka shfaqur këtë në video, se sa qytetarë janë. Unë them se guximi i tyre është i tepruar, që të dalësh të bësh kontroll dy personave në mes të malit, në mes të natës. Nuk e di në çfarë gjendje kanë qenë po sigurisht që shteti do i kërkojë llogari atyre. Flas në emrin tim, 35 vite të karrierës time, familjen tim, vëllanë tim që ka rënë në krye të detyrës, nuk shkel mbi gjakun e tij as mbi shtetin tim, që të shes apo blej vota. Nuk e di nëse ai që e ka nxjerr e di që bëhet fjalë për mua, dhe nuk e di nëse një fletë e tillë (mban në dorë një fletë votimi) që e kanë të gjithë kandidatët dhe këtë fletë e ka nxjerrë djalit tim që njerëzit që ka takuar u ka thënë që do votoni numrin 1 dhe nr 4, është normale. Ne kemi bërë edhe fletët e tjera. I kanë gjetur edhe këtë listën që ka takuar disa njerëz dhe nuk e di çfarë këtu përveç faktit që qytetari digjital dhe ata njerëz kanë marr guximin që emrat e këtyre njerëzve të cilët në bisedë me djalin tim i kanë thënë do votoj për Bilbilin. Çfarë këtu në këtë mes që paska trafik votash. Për fatin e mirë ata kanë lënë gjurmët e gishtave dhe do të gjinden. Ai zotëria që ka nxjerrë videon ka ndihmuar shumë strukturat e hetimit për të shkuar më afër, të jeni të bindur që PSD dhe unë nuk kam asnjë punë. Ne kemi bërë edhe një poster të tillë njësoj me fletën e votimit, që thotë votoni Bilbilin dhe nr 1 dhe nr4, nuk e kuptoj se çfarë ka këtu për trafikim. PSD nuk është nisur nga këto gjëra, ata që bëjnë trafik votash e dinë mirë se kush janë, i njohin mirë. Personalisht s’kam asnjë lidhje me këto gjëra. Kanë kaluar disa ditë që ka ndodhur dhe e quajta një lajthitje të atyre njerëzve, jo se heshta. Meqë ata guxuan ta bëjnë publik sigurisht që edhe unë do guxoj të bëj një deklaratë publike.
Ata njerëz që kanë dalë kanë qenë rreth 12 apo 15 veta, me makinë i kanë zënë pritë mes një pylli, në rrugën nacionale Fierëz-Fusharrës, te një degëzim rruge dhe kanë përdorur edhe dhunë.
Top Channel