Edhe pse ligji e ndalon punësimin për fushatë elektorale një specialiste rezulton e punësuar me kontratë provizore në Drejtorinë Rajonale të Kulturës në Shkodër.

Gjithashtu kjo specialiste është punësuar pa u vlerësuar dosja e saj apo e konkurrentëve të tjerë. Ligji për fushatën elektorale ndalon punësimin në këtë kohë përveç rasteve emergjente. Gazetarët e Fiksit shkojnë në Drejtorinë Rajonale Shkodër ku takojnë vetë drejtoreshën, Majlinda Lacaj.

Ajo fillimisht mohon të ketë marrë në punë ndonjë punonjëse të re, por punonjësja Albana Zaganjori rezulton e punësuar në këtë drejtori pikërisht në fund të marsit. E vënë përpara faktit drejtoresha Lacaj tregon se punësimin e ka bërë në bazë të ligjit duke pyetur edhe juristin dhe burimet njerëzore. Madje sipas drejtoreshës është pikërisht sektori i burimeve njerëzore që ka bërë mundësimin e zonjës. Gazetarët e pyesin se sipas ligjit në fushatë elektorale mund të ketë punësim vetëm në rast emergjente ,por çfarë emergjence ka drejtoria e kulturës në Shkodër? Drejtoresha përgjigjet duke thënë se nuk ka asnjë emergjencë, por punësimin e kanë bërë burimet njerëzore. Në bisedim me gazetarët për të kuptuar se me çfarë lloj kontrate është punësuar Albana Zaganjori drejtoresha nuk di të përgjigjet, njëherë thotë se e punësuara është pjesë e institucionit dhe njëherë thotë se pozicioni i punës në të cilën aktualisht punon e punësuara është provizor. Por më pas ajo tregon se znj. Albana kontratën me institucionin e ka firmosur diku në fund të marsit. Në bazë të Kodit Elektoral, fushata për zgjedhjet parlamentare ka filluar më 23 mars, një muaj para zgjedhjeve. Periudhë kohore që konçidon edhe me punësimin e znj. Albana.

Drejtoresha shprehet se kur janë dorëzuar dosjet e aplikantëve në atë kohë të paktën tre , ka qenë një komision që ka bërë vlerësimin e tyre dhe kanë vendosur se znj. Albana ka qenë më e përshtatshme në fitimin e postit. Gazetarët kërkojnë të flasin me kryetarin që ka bërë vlerësimi e dosjes së vajzës që është punësuar. Por drejtoresha u kërkon gazetarëve të Fiksit që të vijnë sërish në drejtori në orën 13:00, pasi kryetari i vlerësimit të dosjeve ndodhej në terren. Gazetarët rikthehen sërish në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Shkodër në orën 13:00. Kryetarin nuk e takojnë, por takojnë sërish drejtoreshën. Duke u justifikuar ajo del nga institucioni dhe thotë “Nuk kam çfarë t’ju them kryetari i vlerësimit të dosjeve nuk ka ardhur” . Gazetarët e ndjekin drejtoreshën në këmbë në të gjithë Shkodrën duke e pyetur se si u zgjodh punonjësja?Pse në fushatë? Ku janë dosjet? Ku është vendimi i komisionit? Drejtoresha duke ikur shprehet se çfarë kishte për të thënë e tha. Gazetarët i kërkojnë emrin e kryetarit të vlerësimit të dosjeve për ta intervistuar, por drejtoresha nuk ka një emër konkret.

Meqënëse është në orar punë gazetarët e pyesin se ku po shkonte drejtoresha. Ajo përgjigjet se po shkon në një tjetër institucion shtetëror, por ndërkohë hynë në një bankë të nivelit të dytë, pasi thotë që ka takim me drejtoreshën e kësaj banke. Në këtë mënyrë drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Shkodër shmangu duke u fshehur në bankë gazetarët e Fiksit. Këtyre të fundit nuk u lejohet që të hyjnë brenda.

Top Channel