Kryeministri Edi Rama ka sulmuar PD dhe LSI-në nga Elbasani duke thënë se ata nuk i meritojnë votat nga banorët e këtij qyteti.
Nuk i kurseu thumbat për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhin, të cilën e cilëson si hatanë më të madhe dhe vota për të do të thotë të ngresh nga varri rilindasit.
Rama: Dua t’i them dy llafe atyre të Kalasë sepse kam një problem me ata. Elbasani sot ka mundësinë të zgjedhë një skuadër e cila është krijuar për Elbasanin. Këtu nuk ka njerëz që i kemi sjellë nga Tirana për të marrë vota. Këtu janë të gjithë nga Elbasani dhe qershinë mbi tortë e kemi marrë nga Kalaja, Evis Kushin.
Për ata të Kalasë, i them që të votojnë për Evisin sepse votojnë për fëmijët e tyre që nuk kanë të drejtë vote. PD vjen vërdallë si aeroplan pa bisht. Cfarë arsye ka për ta votuar PD? Më thoni një, hajde më tregoni një tullë që vuri për Elbasanin, jo 100 mijë, por 1 tullë, hajde më tregoni një shkollë që PD e ndërtoi në Elbasan, hajde më tregoni cfarë bëri PD për Universitetin e Elbasanit, po për spitalin e qendrën shëndetësore?
PD nuk e meriton që Elbasani t’ia hedhë sytë, pa llogaritur pastaj atë partinë tjetër të profesore doktoreshë Monika Kryemadhit se ajo është hataja më e madhe. Në qytetin e Kostandin Kristoforidhit të votosh Monika Kryemadhin, do të thotë të ngresh nga varri të gjithë rilindasit e Elbasanit, do të thotë të ofendosh historinë e këtij qyteti, të kësaj zone.
Top Channel