Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,  Ardi Veliu dhe polici Shkëlzen Tafa

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,  Ardi Veliu priti në një takim, për ta falënderuar, punonjësin e Policisë Shkëlzen Tafa, i cili dy ditë më parë i ndodhur rastësisht dhe jashtë shërbimit në një zonë ku po ndodhte një konflikt që mund të sillte vrasje, ka ndërhyrë duke parandaluar.

Veliu gjatë bisedës miqësore me punonjësin e Policisë e ka falënderuar dhe përgëzuar  atë për kurajën dhe guximin, për aktin human dhe të përgjegjshëm që ai kreu edhe pse nuk ishte në shërbim.

 “Ajo që ju bëtë është mishërimi i asaj çka duhet të bëjmë të gjithë ne punonjësit e Policisë së Shtetit. Veprimet e tua ishin kurajoze dhe profesionale, që nga vendimi që more për të ndërhyrë, nxjerrja dhe mbajta e armës, dhënia e komandave për personin që duhej t’i bindej urdhrit të punonjësit të Policisë e deri në neutralizimin e tij. Për këtë, unë si Drejtor i Përgjithshëm, por e gjithë organizata e Policisë jemi krenarë për veprimin tuaj. Qytetarët panë tek veprimet e tua Policinë që duan dhe kjo ka akoma më shumë vlerë për ne, rritja e besimit  dhe e mbështetjes së qytetarëve për Policisë, pasi pa qytetarët ne nuk mund ta kryejmë dhe përmbushim si duhet detyrën. Veprime të tilla në shërbim e në mbrojtje të jetës së qytetarëve duhet të jenë motiv për të gjithë punonjësit e Policisë”, tha Veliu.

Punonjësi i Policisë Shkëlzen Tafa, pjesë e forcës së posaçme “Shqiponja” aktualisht në praktikë, pasi vijon studimet në vitin e tretë Bachelor në Fakultetin për Hetimin e Krimit në Akademinë e Sigurisë, ka falënderuar  Veliun për pritjen dhe vlerësimin dhe e ka siguruar atë se veprimin që ai ka kryer nuk e ka bërë për famë apo për bujë, por sepse ishte përgjegjësi morale dhe ligjore për uniformën që mban dhe detyrimin ndaj qytetarëve.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel