Sulmi me thikë në xhami/ Xhaxhai tregon çfarë e provokoi 34-vjeçarin, e ëma me lot në sy kërkon ndihmë nga shteti

19/04/2021 19:38

Familjarët e Rudolf Nikollit, 34-vjeçarit që kreu sulmin me thikë brenda xhamisë në rrugën e Kavajës kanë folur për ngjarjen e rëndë duke treguar se merrte ilaçe për stres.

Xhaxhai ka zbuluar se ka marrë provokime nga persona në Klos dhe kjo gjë ka ndodhur ditën e sotme në Tiranë. Ai pretendon se 34-vjeçari ka rënë pre e bullizmit, ndaj ka qëlluar me thikë 6 besimtarë. Ndërsa e ëma me lot në sy tha se i biri është i pafajshëm dhe kërkon shërimin e djalit.

Xhaxhai i Rudolfit: Djali nuk ka pasur asnjë grindje asnjëherë. Në Klos vinte e bënte faljet. Kur ka ikur në Tiranë, një nga Klosi e ka bullizuar, e ka provokuar dhe e ka mbyllur atë çështje prokuroria dhe spitali. E kanë mbyllur herën e parë. Tani e kanë bullizuar prap në Tiranë, e kanë ngacmuar, e kanë thirrur tek xhamia dhe atëherë ka rënë viktimë.

Nëna e Rudolfit: Të më shërojnë djalin se nuk ka qenë ashtu. E di unë se si ka qenë ai. Kërkoj vetëm shërim. Ma hoqën nga puna, u largua nga puna, nga shoqëria, nga familja. Më shëroni djalin ju lutem. Nuk mund ta krahasoj me asnjë se është djali im. I lutem edhe imamit të xhamisë se është i pafajshëm, nuk është ashtu siç e tregonte televizori. Ju lutem të ndërhyjë shteti të ma shërojë djalin. Ka disa kohë që merr ilaçe për muaj që është kështu. Ka gati 6 muaj.

Top Channel