Ded Ndreni nga Shkodra, ankohet në Fiks Fare se mungesa e librezës së punës, i ka vështirësuar verifikimin e viteve te punës.

Sipas tij ISSH Shkodër, pas kërkesës që ai ka bërë i ka nxjerrë vërtetimin e një personi tjetër, që ka të njëjta gjeneralitete me të, përveç vendit të lindjes dhe vitit të lindjes. Dy vjet rresht pavarësisht kërkesave të vazhdueshme i japin të njëjtin vërtetim. Kur shkon me Fiksin, me kamera të hapur, punonjësja i thotë që këto vërtetime janë lëshuar nga një vajzë që ka qenë zëvendësuese në kohën kur ajo ka qenë me raport, dhe që do ta rregullojnë. Ndërsa shefja e përfitimeve i thotë se nuk ka pas nevojë të ankohet në asnjë televizion, sepse ai e ka bërë moshën për pension. Duhet vetëm të aplikojë që të rregullohet çdo gjë.

Në një intervistë për Fiksin Ded Ndue Dreni thotë i kishte humbur libreza e punës, që të mos kishte probleme me vitet kur t’i vinte mosha, nisi të kërkonte vërtetime të viteve të punës. “Dy vjet rresht, edhe pse i kam informuar edhe me shkrim disa herë, më japin vërtetim të një personi tjetër që ka vdekur dhe kemi ditëlindje të ndryshme dhe vendlindje të ndryshme. Ndërsa emër mbiemër të njëjtë. I kam vënë në dijeni disa herë dhe nuk ma marrin parasysh, ndaj po ankohem tek Fiksi.”- thotë ai.

Bashkë me zotërinë gazetarët e Fiksit kontaktuan pranë ISSH-së Shkodër me punonjësen e verifikimit të viteve të punës, e cila i thotë se vërtetimin e ka lëshuar një vajzë që ka qenë zëvendësuese në kohën kur ajo ka qenë me raport dhe sëmurë. “Nuk ka ditur ajo, edhe ja ka dhënë kështu. Ne do ta rregullojmë dhe patjetër që do kërkojmë vitet e punës së zotërisë. Nuk e di pse nuk është bërë më përpara pasi zotëria thotë se e ka njoftuar gabimin, por e rëndësishme është që do ta rregullojmë”.- thotë ajo. Gjithashtu ajo citoi se këto probleme kanë dalë më shumë më ish Kooperativat Bujqësore, dokumentet e të cilave sipas saj janë plotësuar nga persona të papërgjegjshëm dhe tek ISH-ja janë dorëzuar me vonesë.

Fiksi kontaktoi gjithashtu edhe me Shefen e Degës së Përfitimeve, e cila thotë se zotëria duhet të aplikojë për pension pleqërie pranë ADIS-ës, pasi e ka mbushur moshën. Të gjitha këto që ka nxjerrë deri tani do të rrëzohen poshtë dhe do të verifikohen nga e para. “Nuk është as i pari dhe as i fundit që ka humbur librezën e punës dhe nuk kishte nevojë të thërriste televizionin. Ti shko apliko për pension se të ka ardhur mosha dhe ne do të merremi pastaj me aplikimin tënd dhe do t’i nxjerrim vitet nga e para.”- shtoi ajo, duke i dhënë kështu një zgjidhje problemit të zotërisë.

Top Channel